ARBNI IKU ATËHERË KUR ISHTE MË I NEVOJSHËM SE KURRË ( Ismail Kadare)

vull

Kur po mendoja se çka duhet të shkruaj për Arbën Xhaferin, me rastin e 7 vjetorit të shuarjes së tij, mu kujtua mendimi i të madhit Ismail Kadare, vlerësim ky, që i mbulon mesazhet e shumë intelektualëve, publicistëve, krijuesve, burrështetasve, politikanēve, diplomatëve, dhe të tjerëve, mesazhet e të cilëve ishin në harmoni të plotë me konstatimin e Kadaresë, se Arbri iku atëherë kur ishte më i nevojshëm se kurrë.

I nxitur nga ky mendim i krijuesit më të madh shqiptar dhe intelektualit me përmasē mbarëkombëtare e ndërkombëtare, i shprehur 7 vite më parë, kur lajmi, se nga jeta u nda Arbën Xhaferi mori dhenë, u ktheva në kohë , për të lexuar mesazhet e njrëzve të politikës dhe të tjerëve, që e kishin njohur Arbrin në tërë përmasën e tij, si mendimtar , filozof, sociolog, studiues, politikan, diplomat, e para së gjithash si njeri. Ky spektër mendimesh dhe vlerësimesh për veprën aq të gjithanëshme të Arbën Xhaferit nga intelektualë, shkencëtarë politikanë, diplomatë , të brendshëm e të jashtëm, shqiptarë e të huaj, që vjen nga personalitete proviniencash të ndryshme politike, të djathtë e të majtë të pozitës dhe të opozitës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, diaspora, politikanë e diplomatë të huaj, janë dëshmi se emri i Arbnit është i pakontestueshëm dhe i qëndrueshëm në kohë e hapësirë, duke i përballuar me lehtësi disa pamfletistë, xhelozë që herë pas here, të nxitur nga qendra të errëta antishqiptare, mundohen ta nxinë këtë aset kombëtar.

Me këtë rast, po shkëpusim disa mendime nga personalitete, të politikës shqiptare, me kohë të afirmuar në veprimtarinë e tyre dhe të mirënjohur në rrafshin mbarëkombëtarë e ndërkombëtarë , për njeriun që e sfidoi historinë dhe ikjen e tij të parakohshme nga kjo jetë:

Ismail Kadare: Ishte një lajm tepër i hidhur. Një nga mendjet më të gjera, më të guximshme e më të ndriçuara e la sot kombin shqiptar. Kam pasur fatin ta njoh, ta takoj e të këmbej mendime me të disa herë në rrethana dramatike. Siç ndodh shpesh , njerëz të tillë ikin atëherë kur janë më të nevojshëm se kurrë. Arbëni ishte i tillë, i domosdoshëm, pikërisht tani. Ndaj si rrallëkush do t’u mungojë të gjithëve.

Dritëro Agolli: Njerëzit si Arbën Xhaferi vdesin vetëm fizikisht. Ata mbeten të gjallë mes nesh. Na duket se kanë shkuar me shërbim dhe do kthehen përsëri. Në kujtesën tonë mbetet i gjallë Arbën Xhaferi me veprën e tij të shquar, politike, kulturore dhe në fusha të tjera të jetës.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani:
Si një politikan vizionar, Arbni përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë. Arbën Xhaferi do na mungojë të gjithëve, por ai la pas një shembull dhe eksperiencë që do ta bëjnë të jetë gjithmonë i pranishëm mes nesh.

Ish Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi: Arbën Xhaferi ishte një intelektual i klasit të lartë. Ishte një rilindas i kohës moderne. Humbja e Arben Xhaferit është humbje kombëtare. Çdo shqiptar ndjen trishtim për filozofin e krijuesin. Fat që e kemi njohur, lexuar e dëgjuar Arbën Xhaferin.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga: Humbja e tij do të lërë zbrazëtirë jo vetëm për familjarët dhe bashkëpunëtorët e tij, por edhe për të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan qëndrimin e tij plitik.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha:
Me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferit, bota e mendimit dhe elita e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit. Vlerat dhe kontributi thelbësor i Arbën Xhaferit janë një trashëgimi tejet e çmuar në emancipimin kombëtar dhe shoqërior të kombit tonē, që meritojnë mirënjohjen e thellë të të gjithë shqiptarëve, për sot dhe brezat që vijnë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi: Arbën Xhaferi ishte profil i lartë i politikanit, mendimtarit dhe vizionarit, që la gjurmë të ndritur dhe kontribut të çmuar në jetën politike, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në tërë hapësirën shqiptare. Arbën Xhaferi shquhej për mprehtësinë politike, thellësinë intelektuale, transparencën e ideve dhe konceptimin global të çështjes shqiptare. Me vdekjen e Arbën Xhaferit u shua një nga mendjet më të ndritura të qytetërimit shqiptar.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa:
Me hidhërim të thellë mësuam për ndarjen nga jeta të z. Arbën Xhaferit, themeluesit të Partisë demokratike shqiptare, prijësit të shqiptarëve dhe intelektualit të shquar. Z. Arbën Xhaferi do mbahet mend përherë për veprën e madhe në shërbim të kombit. Ai i dha frymë intelektuale dhe evropjane sjelljes politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti:
Arbën Xhaferi ka lënë një vepër të jashtëzakonshme për gjithë shqiptarët, vepër që shtrihet si në rrafshin politik dhe organizativ, ashtu edhe në ate teorik e socio-kulturor. Arbën Xhaferit nuk ka mundur askush asnjëherë t’ia t’ia ndërrojë mendjen për shkak se ai mendimet i ka pasur shumë të thella dhe gjërat i ka pasur të menduara mire. Ai ka qenë dijetar në politikë.

Pandeli Majko, ish kryeministër i Shqipërisë:
Arbën Xhaferi ishte një pasardhës i Rilindjes Kombëtare, sepse realisht ishte një njeri që diti të ruajë standardin e vet dhe të rithemelojë atë që unë e konsideroj si patriotizëm të ri të shqiptarëve, një patriotizëm që është i nevojshëm si gjaku për trupin, jo vetëm këtu në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare. Ky njeri i letrave dhe i politikës gjithmonë kur fliste dëgjohej nga të gjithë shqiptarët, kudo që janë, sepse mendja e tij fliste për të gjithë.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama:
Arbën Xhaferi ishte një shqiptar jotipik që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale. Vdekja e tij është humbje e madhe për botën shqiptare në disa përmasa, që veç Arbën Xhaferi i mishëronte në njeri të vetëm. U prehtë në paqe!

Kryetari i LSI-së/Zv. Kryeministër, Ilir Meta:
Ndajmë dhembjen për humbjen e Arbën Xhaferit, një politikan i shquar, që mbrojti të drejtat e shqiptarëve. Arbën Xhaferi ka lënë një trashëgimi mjaft të vyer, e cila do shërbejë jo vetëm pët ta kujtuar atë, por edhe për të pasur në konsideratë gjithmonë urtësinë e tij, vizionin e tij, mençurinë e tij për faktorizimin e shqiptarëve përmes një politike të mençur.

Përfaqësuesi i AAK-së,Daut Haradinaj:
Ideja e Arbën Xhaferit, puna dhe angazhimi i tij do tē mbeten në breza, që do ta kuptojnë dhe do ta imlementojnë në një shtet funksional demoktatik me popull të lirë. Kemi humbur një ideolog të politikës në Kosovë dhe Maqedoni, një njeri të madh për mbarë kombin shqiptar.

Kryetar i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela:
Njerëzit e mëdhenjë lindin për të mos vdekur kurrë. U ndave nga kjo jetë para shtatë vitesh Arbën Xhaferi. Je i gjallë dhe frymon akoma nëpërmjet porosive që na le. Kisha nderin që të pata Kryetar dikur dhe kam privilegjin sot të vazhdoj rrugëtimin tënd bashkë me mijëra bashkëmendimtar që ti i krijove.

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti:
Vlerat e këtij patrioti të madh, një pasuri që do të trashëgohet nga kombi shqiptar dhe mendimi i tij patriotik progresist do mbeten udhërrëfyes të elitës së mendimit shqiptar për një kohë të gjatë. Arbën Xhaferi e vuri të gjithë jetën e tij në shërbim të çështjes shqiptare në mbrojtje të interesave dhe dinjitetit të popullit shqiptar në Maqedoni dhe rajon.

Kryetari i PDS-së , Paskal Milo:
Ishte një zë që dëgjohej me respekt dhe fjala e tij zinte vend dhe nuk fliste vetëm për shqiptarët e Maqedonisë. Ka qenë një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të nacionalizmit pozitiv shqiptar, që ka reflektuar në të gjitha trojet shqiptare.

Kryetar i PSD-së, Agim Çeku:
Ndarja nga jeta e Arbën Xhaferit është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen e tij dhe PDSH-në, por edhe për mbarë kombin shqiptarë. Urojmë që idealet e të ndjerit Arbën Xhaferi, të bëhen realitet.

Behxhet Pacoli, Biznismen, Kryetar i AKR:

“Ai ishte njeriu që kishte shndërruar në alternativa politike qeverisëse dy Lëvizje çlirimtare, atë të Kosovës dhe atë të Maqedonisë si këshilltar, si protagonist i këtyre shndërrimeve properëndimore të kombit shqiptar. Ai i paraprinte proceseve emancipuese të kombit shqiptar me idetë e veta, me platformën e tij kombëtare, me kritikën e vet për dukuritë degraduese, me aksionin e vet politik”.

Lazim Destani, biznismen:
Arbën Xhaferi nuk do harrohet kurrë për aktivitetin e tij patriotik duke i shërbyer me përkushtim çështjes kombëtare gjatë gjithë jetës së tij dhe sidomos në këto dekada të kthesave të mëdha. Vizionari Arbën Xhaferi gjithmonë mendonte në suaza mbarëkombëtare.

Meqë me këtë shkrim desha vetëm ta përkujtojmë 7 vjetorin e ndarjes nga jeta të Arben Xhaferit, u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që kanë dhënë mendime e vlerësime për veprimtarine e tij të gjithanëshme, e që nuk munda t’i përmend në këtë rast. Vepra e Arbënit do ketë nevojë të studiohet edhe në të ardhmen, ku me siguri, mendimet e shkrimet e shumë gazetarëve e publicistëve do jenë pjesë e pandashme e vlerësimeve tona për këtë figurë të ndritur dhe veprën e tij. VEBI BEXHETI

Next Post

Mesazhi i presidentit Ademi për fillimin e edicionit të ri 

Të nderuar futbollistë, drejtues të klubeve, gjyqtarë e delegatë, Të dashur tifozë e dashamirë të futbollit, Jemi të lumtur që këtë fundjavë do ta bëjmë përurimin e hapjes së kampionatit të ri në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Ky edicion do të jetë i veçantë për shumë arsye. Në […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: