Home / Histori / Kongresi i mbajtur në fshatin Tanushë, më 15-16 gusht 1945, në Malet e Kopilaçës

Kongresi i mbajtur në fshatin Tanushë, më 15-16 gusht 1945, në Malet e Kopilaçës

Me iniciativën e Ibrahim Lutfiut, prof. Ymer Berishës, prof. Gjon Sereqit dhe në marrëveshje me anëtarët e KQ të NDSH në Shkup, u arrit marrëveshja për mbajtjen e Kongresit të Lëvizjes për Bashkimin e Tokave Shqiptare. Kongresi është mbajtur në fshatin Tanushë, më 15-16 gusht 1945, në Malet e Kopilaqës, në të cilin do të marrin pjesë përfaqësuesit e Shtabit Suprem të Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave, përfaqësues të organizatave të ONDSH-së nga viset e Kosovës dhe përfaqësiesit e KQ të NDSH-së në Shkup. Për rendin e ditës, programin dhe materialin që do të përpunohej u ngarkuan Luan Gashi, Halim Orana dhe Azem Morana. Nga përfaqësuesit e rezistencës shqiptare, të pranishëm ishin: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, Ibrahim Kelmendi, kapiten Bajrush Gjakli, Din Hoxha, Qazim Llugagjia, Hasan Kabashi, Qazim Zekbasha, Sylë Hotla, Hajriz Kajolli, prof. Luan Gashi, Tefik Tanisheci etj. Kurse të tjerët ishin delegatë të organizatave të NDSH-së dhe të KQ të NDSH-së në Shkup, të cilin e përfaqësonin Kemajl Skënderi, Mexhit Zyberi dhe Xhemail Bllaca.

Loading...

Referatin për gjendjen aktuale politike e mbajti Luan Gashi, i cili njëherësh shtroi domosdonë e lidhjes me konsullatën turke e angleze në Shkup. Këto lidhje shpejt u vunë me konsullin anglez Gjorgj Burton dhe me atë turk Emin Gerqek në Shkup. Lidhjet në fillim mbaheshin me letra, kurse më pas me anën e radiostacioneve të NDSH-së  të vendosura në Pejë dhe Tetovë. Këto stacione njëherësh mbanin lidhjet me komitetet shqiptare në Bari, Greqi e Kajro dhe me vendet perëndimore antikomuniste.

Për gjendjen e formacioneve ushtarake të luftëtarëve të lirisë në Kosovë e Maqedoni foli Adem Gllavica, kurse Hysen Tërpeza, i cili udhëhiqte punën e Kongresit, pos të tjerash, do të bëjë fjalë edhe për rriten e shpejtë të organizatave të NDSH-së, aktivitetin  dhe lidhjet e tyre me grupet guerile në male, duke potencuar aktivitetin e disa komiteteve të NDSH-së, si atij në Gjilan, Prishtinë, Pejë etj. Ndër të tjera, ai thotë: “Ne kemi lidhje me Gjilanin, Prishtinën, Prizrenin etj. e tani edhe me KQ në Shkup…”. Në Kongresin e Kopilaqës u raportua edhe për aktivitetin e komiteteve shqiptare në Itali, Greqi e Kajro. Komiteti në Bari konsiderohej si komitet suprem, i cili kishte tubuar përfaqësues të “Ballit Kombëtar”, “Legalitetit” etj. dhe udhëhiqej nga patrioti Mithat Frashëri, me të cilin mbante lidhje direkte Halim Orana, student në Zagreb, i cili që nga fillimi merrte direktiva për veprimtarinë e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare; dërgonte raporte mbi gjendjen politiko-ushtarake në Kosovë e Maqedoni, mbi veprimtarinë e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare dhe të lëvizjes së NDSH-së. Sipas të dhënave të provinciencës gjyqësore nga gjykimi i KQ në Shkup, për një kohë si lidhje në bartjen e letrave dhe porosive midis Halim Oranës dhe Kemal Skënderit, nënkryetar i KQ,  kishin Galip Raufi-Mustafën, rrobaqepës nga Gjilani, i cili jetonte në Shkup.

Lidhjet me konsullin anglez Xhorxh Herberg dhe me ate të Turqisë në Shkup, Emin Qerqek

Delegatët në Kuvendin e Kopilaqës kishin vendosur për të vazhduar zgjerimin e veprimtarisë së organizatës së NDSH-së, me formimin e komiteteve në të gjitha  qytetet dhe fshatrat shqiptare, forcimin e lidhjeve me çetat e armatosura, furnizimin e tyre me ushqim, veshmbathje, armë, municion, ilaçe etj. Komitetet më të vogla do të vepronin më tepër në grumbullimin e ndihmave, shpërndarjen e afisheve etj. Gjithashtu, në bazë të vendimit të marrë në këtë kongres, u vunë lidhjet me konsullin anglez Xhorxh Herberg dhe me atë të Turqisë në Shkup, Emin Qerqek, përmes të cilëve duhej siguruar ndihma materiale ushtarake dhe tërheqja e disa grupeve të lëvizjes çlirimtare për në Greqi.

Kongresi vendosi që e tërë rezistenca të marrë emrin “Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare”, sepse emri “Balli Kombëtar “ ishte komprometuar në sy të aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa forcat e armatosura të rezistencës do të quheshin Ushtria Demokratike Popullore Shqiptare nën udhëheqjen e Shtabit të Luftës në përbërje të Hysen Tërpezës, komandant, dhe Adem Gllavicës, prof. Luan Gashit dhe prof. Ibrahim Kelmendit, anëtarë të Shtabit, ndërkaq, komandantë të batalioneve u caktuan: Hasan Kabashi, kapiten Bajrush Gjakli, Rexhep Okllapi, Shefki Haliti dhe Din Hoxha. Kongresi vendosi që KQ i ONDSH-së në Shkup të jetë organi më i lartë politik i lëvizjes  dhe të kordinonte aktivitetin me komitetet shqiptare në Itali, Greqi Egjipt etj.

Hidhet poshtë çdo lidhje e imponuar e Kosovës me Serbinë dhe me Jugosllavinë

Kongresi i Kopilaqës nxorri “Proklamatën”, si akt i rëndësishëm i  “Shtabit të Armatës Popullore për Çlirimin e Kosovës”, të cilën e përgatiti KQ i NDSH-së në Shkup dhe të cilën do ta shumëzojë e shpërndajë Abdulla Musliu, kryetar i Këshillit të Rrethit në Ferizaj. Me anën e kësaj proklamate  hidhej poshtë çdo lidhje e imponuar e Kosovës me Serbinë dhe me Jugosllavinë dhe decidivisht konstatohej se populli shqiptar “nën Jugosllavinë mbi gjysma e kombit që jeton  në viset etnike kompaktësisht në 85-100% shqiptarë nuk pranon asnjë lidhje me Beogradin dhe se dëshiron bashkim me Shqipërinë… kjo lëvizje nuk i përket asnjë ideologjie dhe nuk lufton  për asnjë ideologji. “Ideologjia e jonë është lufta për egzistencën e popullit shqiptar”.

Tërheqja e një pjese të lëvizjes së rezistencës shqiptare në Greqi

Për të gjitha këto veprime OZN-a ishte në dijeni dhe në fillim të shtatorit 1945 filloi një ofensivë e përgjithshme e njësive speciale të ushtrisë jugosllave dhe të OZN-së, për likuidimin e grupeve të armatosura të rezistencës shqiptare dhe të NDSH-së. Kjo bënte që forcat e rezistencës ishin të shtrënguara që të lëviznin nga një terren në tjetrin dhe në luftime të pabarabarta ranë shumë luftëtarë  të lirisë, udhëheqës të “Besës Kombëtare” e të tjerë. Në rrethanat e krijuara, ONDSH-ja vepronte në ilegalitet të thellë, kurse veprimtarët e Shkupit mbanin kontakte me konsullatën angleze dhe turke në Shkup. Me KQ të NDSH-së dhe konsullatën turke në Shkup mbante lidhje edhe mulla Idrizi nga strehimorja e tij në fshatin Gjyrishec, kurse për lidhje me KQ, kishte Maliq Sahitin- Qollakun, librar në Gjilan, dhe mulla Rizah Poliçkën. Ndërkohë, Halim Orana nëpërmjet Zagrebit vazhdonte kontaktet me komitetet shqiptare në botën e jashtme.

Situata e vështirsuar bëri që aty nga tetori i vitit 1945, Shtabit Suprem të Kosovës i arriti shkresa nga KQ në Bari prej Mithat Frashërit dhe Muharrem Bajraktarit, që forcat e rezistencës shqiptare antijugosllave dhe antikomuniste të kalonin në Greqi, për të hyrë në kuadër të planeve globale anglo-amerikane për rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri dhe Jugosllavi. Kjo bëri që udhëheqësit e Shtabit Suprem të vihen para alternativës, të qëndronin me armë në dorë e të vazhdonin luftën e armatosur, e cila do të kishte përfundim katastrofal, si për lëvizjen së cilës i ngushtohej rrethi, ashtu edhe për popullatën, apo të vazhdonin aktivitetin në një formë tjetër jashtë Kosovës me ndërmarrje politike e diplomatike dhe nëse krijohen kushte më të volitshme dhe me ndihmën e aleatëve antikomunistë të Perëndimit të ktheheshin në Kosovë për të vazhduar luftën e armatosur. Mendimet ishin të ndryshme dhe duke konsideruar variantin e dytë më të arsyeshëm, u mor vendim që të kalonin në emigracion.

Lidhur me pamundësinë e qëndrimit në Kosovë dhe kalimit në emigracion, disa nga udhëheqësit e Shtabit Suprem do të shprehen më vonë. Kështu Adem Gllavica, me anën e letrës dërguar nga Australia për gazetën “Bujku”, më 16 dhjetor 1996, pos të tjerash, thotë: “Çeta ku bëja pjesë unë nga gjendja e pashpresë në Kosovë, kaloi në Greqi…ne marshuam në nëntor 1945”. Ngjashëm do të shprehet në intervistën e tij edhe Hysen Tërpeza, “në muajin shtator 1945, unë u thashë shokëve: ” Shihni burra…rrethi po ngushtohet nga dita në ditë. Mendoj se është mirë që të kalojmë në Greqi dhe të bëhemi gati që së andejmi të kthehemi e ta çlirojmë Kosovën”. Për këtë, por edhe tradhtinë e aleatëve për çështjen shqiptare, do të shprehet prof. Luan Gashi në intervistën e tij dhënë gazetës “Zëri” në shkurt 1993, ku, pos të tjerash, thotë: “Aleatët ishin të lodhur nga lufta, por ne na kishin premtuar se do të qëndronin me ne derisa të vendosej fati  ynë. Ata nuk e bënë këtë. U detyruam ta marrim në sy udhën e mërgimit, por s’kemi pushuar asnjëherë për punën e Shqipërisë etnike, veçanërisht për punën e Kosovës…” Neshat Bilalli, anëtar i “Ballit Kombëtar”, i larguar në emigracion, shkruan:” Ne nuk u larguam pse ishim bashkëpunëtorë të okupatorit, por se i kishim kapur armët kundër okupatorit dhe kundër diktaturës komuniste. Nuk ishim për t’ia dorëzuar Kosovën Serbisë ashtu si bënë komunistët. Kërkojshim Shqipëri etnike , demokratike të lidhur me perëndimin. Andaj, siç dihet, edhe pse kaluan në emigracion, pjesa më e madhe e tyre nuk kishte pushuar së vepruari dhe kishin vazhduar  aktivitetin e tyre në interes të çështjes së Kosovës dhe të bashkimit kombëtar.

Rekomandime të udhëheqësve të grupeve të Rezistencës Shqiptare në Kosovën Lindore e më gjërë

Kundër vendimit për largimin e forcave luftarake në emigracion do të reagojë KQ i ONDSH-së në Shkup dhe komitetet në terren. Në këtë mënyrë reagoi edhe mulla Idrizi, në bashkëpunim me kreun e Komitetit Qarkor të Rrethit të Gjilanit në krye me Myderriz Haki Efendiun, të cilët, duke u mbështetur në qëllimet  dhe idealet e larta fisnike shqiptare se “Liria kombëtare është mbi të gjitha”, duke ua përcjellë rekomandimin udhëheqësve të grupeve të Rezistencës Shqiptare në Kosovën Lindore e më gjerë, si Lot Vakut, Lam Breznicës, Hoxhë Lipovicës, Ajet Raincës, Shyt Marecit, Faik Talirit, Hysen Tërpezës, Hasan Kabashit e të tjerëve, nga të cilët përmes kasnecëve, kërkohej që të mos lihej Kosova pa mbrojtësit e vet.

Rreth 400 luftëtarë të rezistencës kapërcejnë  kufirin drejt Greqisë

Pas kontakteve paraprake me konsullin anglez dhe atë turk në Shkup lidhur me tërheqjen e një pjese të lëvizjes së rezistences në Greqi, udhëheqja e Shtabit Suprem me në krye Hysen Tërpezën-komandant, dhe Adem Gllavica me rreth 400 luftëtarë të rezistencës shqiptare, të ndarë në dy grupe, gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 1945, do të kalojnë në  Greqi. Gjatë  gjysmës së dytë të nëntorit, grupi i parë me në krye Hysen Tërpezën, Hasan Kabashin (ky u vra në kufi), Bajrush Xhaklin, Bahtir Dumnicën etj., më 28 nëntor kaluan në Greqi, kurse më pas u nis për atje grupi tjetër me Adem Gllavicën, Ibrahim Kelmendin, Qazim Llugaxhiun, Ismajl Goranin etj., të cilët më 31 dhjetor 1945 kaluan në Greqi dhe nga aty disa menjëherë dhe disa pas një kohe do të shpërndahen në vende të tjera, në SHBA, Turqi, Australi e në vende të tjera perëndimore, për të  vazhduar aktivitetin e tyre politik antijugosllav dhe antikomunist në të mirë të çështjes së Kosovës dhe çështjes së tërësishme kombëtare.

Ndërkohë, derisa këto dy grupe me njësitet e tyre tërhiqeshin në Greqi, pjesa tjetër e Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave organizohej në grupe të armatosura për të vazhduar rezistencën në të gjitha viset e Kosovës, të udhëhequr nga Ymer Berisha, Ajet Gërguri, Gjon Sereqi, Ibrahim Lutfiu, mulla Idrizi, Azem Bellaqeci, Hasan Remniku, Shyt Mareci etj. Ndërkaq, lidhjet e tyre me KQ të ONDSH-së në Shkup bëheshin kryesisht përmes Hamdi Berishës, Hasan Bilallit, Haki ef., Azem Maranës, Abdulla Musliut e të tjerëve. …

Në ONDSH vepronin rreth 30.000 veta, të organizuar në 54 komitete

Nga fillimi i vitit 1946, me gjithë angazhimin e forcave të mëdha ushtarake dhe organeve të ndjekjes, me gjithë dhunën, vrasjet, burgosjet etj., aktiviteti politiko-ushtarak i Lëvizjes së Rezistencës Shqiptare antijugosllave jo vetëm që nuk u shua, por, përkundrazi, vazhdoi luftën për lirimin e tokave shqiptare në kushte të reja të riorganizimit, u zgjerua rrjeti organizativ i KQ të ONDSH, në Shkup, me formimin e komiteteve të reja në Kosovë e Maqedoni, duke u shndërruar në lëvizje masive.Duhet cekur se edhe vetë krerët e UDB-së u detyruan të pranonin se atëbotë në kuadër të Lëvizjes së Rezisencës Shqiptare antijugosllave, të udhëhequra nga KQ i ONDSH-së, vepronin rreth 30.000 veta, ithtarë, ndihmëtarë e bashkëluftëtarë, pra anëtarë aktivë, të organizuar në 54 komitete dhe njësi të shumta guerile në territoret shqiptare nën okupimin jugosllav. Këtë e thekson edhe NDSH-isti Rexhep Bunjaku nga Kaçaniku, më parë epror i OZN-së, i cili, pos të tjerash, thotë: “Sipas evidencës dhe të dhënave që i kishte sekretari i KQ, Azem Morana, në një mbledhje në shtëpi të Kemajl Skënderit në Shkup, në maj të vitit 1946, u theksua se anëtarë aktivë të komiteteve të qyteteve dhe të  fshatrave janë 30.000 veta.

NDSH-isti Rexhep Bunjaku shprehet: “Jam i bindur se asnjë lëvizje, parti apo organizatë antikomuniste, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë, nuk ka pasur masivitet më të madh, nuk kanë qenë më të organizuar dhe më të frymëzuar për luftë kundër komunistëve dhe penetrimit të sllavizmit në Evropë”. Prandaj, mund të konstatohet se për kohën kjo ishte një lëvizje dhe organizatë e fuqishme më masive demokratike antikomuniste në Evropën Lindore, me program dhe aspirata të qarta politike  e kombëtare. Komitetet e NDSH-së kishin depërtuar në të gjitha strukturat politike, administrative dhe ushtarake të okuptorit. Kjo bëri që të alarmohej kreu politik dhe ushtarak jugosllav për të urdhëruar një luftë pa kompromis kundër luftës për lirimin e tokave shqiptare, duke hedhur në radhët e saj oficerë të UDB-së për ta shpartalluar nga brenda dhe me sulme nga jashtë.

Propagandim kundër reformës serbe që bëhej për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi

Pas spërfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Halim Orana do të vazhdojë aktivitetin e tij në L.p.L.T.Sh. dhe në NDSH. Si student në Zagreb bënte lidhjen e Lëvizjes me Komitetin e Ballit Kombëtar në Bari të Italisë në krye me Mithat Frashërin, me Legalitetin e Ahmet Zogut në Kajro dhe me Komitetin në Greqi, të formuar nga të arratisurit shqiptarë. Sipas disa të dhënave, të gjitha lidhjet me komitetet në fjalë dhe me botën perëndimore atëbotë bëheshin përmes Halim Oranës, i cili merrte dhe përcillte instruksione për aktivitetin e mëtejmë të ONDSH-së në Kosovë e Maqedoni.

Halim Orana do të arrestohet në mars të vitit 1946, gjatë një qëndrimi të shkurtër në Beograd, duke u kthyer prej Zagrebit. Sipas të dhënave memoriale, arrestimi kishte ndodhur gjatë një qëndrimi të shkurtër të tij në një hotel në Beograd, kur rastësisht takohet me një vendas, komunist i njohur në Gjilan, i cili iu kishte lutur Halimit që ta presë një moment derisa ta kryejë një punë dhe do të kthehen së bashku për në Kosovë. Për një çast e arreston policia dhe e dërgon në burg nga ku pastaj e përcjellin për në burgun e Nishit e pastaj të Ferizajt. UDB-a e Ferizajt  kishte kërkuar të dhëna rreth tij nga Gjilani, për të ngritur padi kundër Halimit, dhe sipas dëshmive memoriale, pos serbit Mika Serafimoviq nga Gjilani, i cili ishte përpjekur ta etiktojë duke thënë se në një takim rasti në Zagreb më 1945, Halimi i paska thënë: “Ju serbët keni bërë shumë krime dhe keni vrarë shumë njerëz të pafajshëm në Gjilan, por duhet ta dini se shqiptarët nuk kanë për t’i harruar dhe do të vijë koha kur do t’u hakmirren”. Mirëpo, kjo deklaratë nuk qe e mjaftueshme për të ngritur padi dhe në mungesë të provave  pas disa ditësh Halimi ishte liruar.

Përgaditjet për mbajtjen e Kongresit të Shkupit

Burgosja e Halim Oranës do të ishte humbje e drejtperdrejtë për L.p.L.T.Sh. dhe në veçanti për NDSH-në dhe rezistencën e lëvizjes kombëtare në rajonin Anamoravës. Mirëpo, falë qëndrimit dinjitoz të tij, organet e hetuesisë nuk kishin arritur të nxirrnin fakte të qëndrueshme për veprimtarinë e tij dhe u detyruan ta lironin. Pas lirimit nga burgu, Halimi erdhi te familja në Gjilan, ku kontaktoi me anëtarët e Komitetit të NDSH-së pë Anamoravë dhe posaçërisht me myderriz Haki Efendiun, bashkëpunëtorin e tij të devotshëm të kauzës kombëtare, me të cilin i lidhte ideali i përbashkët për liri dhe bashkim kombëtar. Duhet cekur se bashkëpunimi i Halim Oranës me Haki Efendiun dhe me disa intelektualë gjilanas të tjerë si Esat Berisha, Kurtesh Agushi, Mumin Jakupi, vëlëzërit Vesel e Vehbi Rexhepi etj., në rrafshin e interesit kombëtar datonte që nga koha e Mbretërisë jugosllave kur si studentë, gjatë takimeve të tyre, ishin aktivë në propagandimin e tyre kundër reformës agrare me të cilën iu merrej toka shqiptarëve për t’iu dhënë kolonëve serbë e malazez, si dhe në organizimin e pengimit të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi. Ndërkaq, gjatë Luftës së Dytë Botërore aktiviteti i tyre shtrihej në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, por tani rrugët ndryshonin, sepse disa prej tyre iu bashkuan ideologjisë sllavo-komuniste-bolshevike, siç ishte rasti me Kurtesh Agushin, vëllezërit Vesel e Vehbi Rexhepi e të tjerë.

Pos me Haki myderrizin, Halimi kontaktoi edhe me anëtarë të tjerë të Komitetit në Gjilan, me Hamdi Berishën, Rexhep Dajkocin, Maliq Qollakun, Ramadan Agushin, Destan Budrikën, Jakup Salihun-Malishevën etj. Takimet u zhvilluan së pari në shtëpinë e Halimit, me rastin e vizitës pas lirimit nga burgu, ku u bisedua gjer e gjatë për aktivitetin e Komitetit. Siç shihet edhe nga procesverbalet e hetuesisë për Haki efendiun, takimet mbaheshin me arsyetimin: ”Vizitë Halimit pas lirimit nga burgu, sipas traditave tona…” Në këto takime merrnin pjesë edhe udhëheqësit e komiteteve lokale, ku Halimi iu dha direktiva për lidhjen e veprimtarëve, të anëtarëve dhe simpatizantëve të organizatës së NDSH-së  në komitete vendore në nivel të fshatrave e të komunave. Ndërsa Komiteti i Gjilanit të ngrihet në Komitet Qarkor si dhe të  shpeshtohen kontaktet me KQ në Shkup. Këtë platformë të organizimit të NDSH-së Halim Orana do ta prezentojë në Skemën Organizative, që do të aprovohet në Kongresin e Shkupit.

Pas pak ditë të qëndrimit në Gjilan, Halim Orana shkon në Shkup ku së bashku me anëtarët e KQ e të tjerë iu hyn përgatitjeve për mbajtjen e Kongresit të Shkupit, i cili do të mbahet më 1 qershor 1946.

Rrethanat e krijuara shtruan domosdonë para KQ të ONDSH-së në Shkup për t’i hyrë punës rreth mbajtjes së një kongresi, në të cilin do të shtrohej domosdoja e riorganizimit politik dhe ushtarak të Lëvizjes Për Lirimin e Tokave Shqiptare. Këtë iniciativë e solli, në mesin e muajit maj 1946, Halim Orana, i cili erdhi në Shkup pas lirimit nga burgu dhe qëndrimit të shkurtër në Gjilan, ku pati takime të shumta dhe të frytshme me Komitetin e Rrethit të ONDSH-së për Anamoravë. Halimi paraprakisht pati konsultime me KQ në Bari të Italisë, si komitet suprem në krye me Mithat Frashërin, Komitetin në Kajro dhe Komitetin në Greqi, të udhëhequr nga Adem Gllavica. Pas kontakteve me persona të KQ të NDSH në Shkup, në prill 1946, Halimi ua kishte dhënë idenë për mbajtjen e një kongresi, në të cilin do të merrnin pjesë përfaqësues nga Kosova e Maqedonia ku do të formohej një KQ i ri, i cili përmes tij do të koordinojë veprimtarinë me KQ në Bari në krye më Mithat Frashërin. Mirëpo, në realitet iniciativa për  mbajtjen e Kongresit të Shkupit rridhte dhjetë muaj më parë që nga Kongresi i Kopilaqës, ku ishte marrë qëndrimi për thirrjen e këtij kongresi, pikërisht nga Ibrahim Kelmendi, Gjon Sereqi dhe Ajet Gërguri, mirëpo, megjithëkëtë, asnjëri prej tyre nuk patën mundësi të marrin pjesë në kongres. Kjo, për arsye se Ibrahim Kelmendi që më parë kishte kaluar në Greqi, kurse Gjon Sereqi dhe Ajet Gërguri, për shkaqe sigurie, nuk morën pjesë dhe as e ndihmuan Kongresin, ngase UDB-a atë kohë kishte intensifikuar aktivitetin me forca të mëdha për kapjen e tyre dhe të tjerëve.

Kemal Skënderi e kishte rolin kyç për lidhjen mes veprimtarëve  nga terreni dhe KQ të NDSH në Shkup

Kongresi ishte thirrur me nxitim nga KQ i ONDSH-së dhe u mbajt më 1 qershor 1946, në shtëpinë e mikut të Kemajl Skënderit në Shkup, në rrethana tejet të papërshtatshme, por e kërkonte momenti i pikërishëm. Barrën kryesore të përgatitjes së Kongresit e mbajtën këta persona: Halim Orana, Hasan Bilalli, Kemal Skënderi, AZEM Morana. Kapiten Hysni Rudi dhe Nexhat Zyberi. Në procesverbalet e hetuesisë shihet se edhe Mumin Jakupi e kishte ndihmuar Halim Oranën  gjatë përgaditjkes së Kongresit.

Pas përgatitjeve të nevojshme, përmes korrierëve të ONDSH-së, të porositur nga Kemal Skënderi, i cili gjithnjë kishte rolin kyç për lidhjen mes veprimtarëve nga terreni dhe KQ të NDSH në Shkup, u dërguan thirrjet për të gjitha komitetet e rretheve dhe komunave të NDSH-së, për t’i dërguar përfaqësuesit e tyre në Kongresin e Shkupit. Mirëpo, në Kongres morën pjesë vetëm 12 delegatë, kryesisht anëtarë të Komitetit Qendror, nga shkaku sepse çdo lëvizje përcillej me dyshim nga organet e UDB-ës. Këta përfaqësonin komitetet qarkore nga Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Ohri, Kërçova, Kumanova, Gjilani, Kaçaniku, Ferizaj, Prishtina dhe Presheva, e kishte raste që një delegat t’i përfaqësonte më shumë komitete. Kështu Komitetin e Qarkut të Gjlanit dhe Anamoravën e përfaqësonin kryetari myderriz Haki ef. dhe Mumin Jakupi, si përfaqësues i Gjilanit dhe të Dardanës, Mehmet Bushi përfaqësonte Gostivarin dhe Kërçovën, Osman Cani përfaqësonte Strugën dhe Dibrën, Hasan Bilalli përfaqësonte Rajonin e Shkupit dhe të Ohrit, Azem Morana përfaqësonte Rajonin 2 të Shkupit, Ferizajn dhe Kaçanikun, Kemajl Skënderi përfaqësonte Prishtinën dhe Hysni Rudi përfaqësonte Pejën dhe Gjakovën. Në Kongres mori pjesë edhe Luan Gashi, përfaqësues i “Ballit Kombëtar” nga Perugja e Italisë, i cili ishte sekretar i  Ballit.

 Halim Orana promotor i kongresit të NDSH-së në Shkup

Kongresin e ka hapur dhe udhëhequr Halim Orana, i cili pasi paraqiti 7 pika të rendit të ditës, ku pikat kyçe ishin aprovimi i programit dhe skemës organizative të NDSH-së, vënia e kontakteve me misionet diplomatike e ushtarake anglo-amerikane e turke në Shkup. Fillimisht Halim Orana i njoftoi të pranishmit për situatën politike në Greqi e Jugosllavi, për Konferencën e Paqes, e cila i kishte dëmtuar shqiptarët, foli për rëndësinë e Kongresit dhe synimet e ONDSH-së dhe në tërësi të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, për bashkimin e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore me Shqipërinë. Për këtë ekzistonte plani dhe kjo parashihej të realizohej me ndihmën e fuqive perëndimore,  pikërisht të Anglisë dhe SHBA. Gjithashtu, Halimi foli edhe për rolin që do të ketë organizata në koalicionin e vendeve perëndimore me BRSS-në. Sipas deklaratës së të akuzuarit Bajram Bajraktari, vëlla i Muharrem Bajraktarit, dhënë para Gjykatës së Qarkut në Shkup, plani për realizimin e synimeve parashihte që në fillim të krijohet një territor i lirë në Shqipërinë Veriore dhe Kosovë, ku anglezët, sipas gjeneralit Hadzon, atashe ushtarak në Tiranë, kishin premtuar të hidhnin materialin luftarak dhe ndihma të tjera për 35.000 veta. Ndërkohë, çetat e armatosura, që ndodheshin në Greqi e Itali, do të sulmonin Shqipërinë Jugore, kurse njësitë guerile të armatosura në Kosovë e Maqedoni do të kryenin aksione për të penguar forcat ushtarake jugosllave, për të mos u shkuar në ndihmë atyre të Shqipërisë. Të gjitha këto duhet të harmonizoheshin me kohën e shpërthimit të kryengritjes në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Lidhjet me shtetet demokratike perëndimore

Në fund të Kongresit, Halimi paraqiti projektplatformën lidhur me organizimin dhe veprimtarinë e mëtejme të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare dhe domosdoshmërinë e forcimit të lidhjeve të bashkëpunimit të KQ të NDSH në Shkup me KQ në Bari të Italisë, si komitet epror,  nga i cili Halimi merrte instruksione për veprim. Gjithashtu u mor vendim për forcimin e lidhjeve me Komitetin Shqiptar në Greqi dhe për këtë qëllim pas Kongresit në Greqi ishte dërguar Mehmet Breznica. Lidhur me angazhimin e tij rreth punës së Kongresit, Halimit iu shpreh mirënjohje e veçantë.

Rolin që pati Halim Orana në organizimin dhe veprimtarinë e ONDSH-së dhe të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, për lidhjet e tija me shtetet demokratike perëndimore dhe organizatat ilegale kroate e boshnjake antijugollave, bëri që prokurori publik i Maqedonisë, Nikolla Vrazhalski, në aktakuzën e tij kundër KQ të NDSH në Shkup, t’i bëjë një vlerësim të veçantë aktivitetit të tij, të cilin, në vijim po e japim në formë të shkurtuar:

“Kjo organizatë (NDSH-së) terroriste antipopullore, aktivitetin e vet më të madh e ka mbërritur me ardhjen e kryespiunit, Halim Orana, i cili ishte konsull i qeverisë kuislinge shqiptare në Qeverinë Kroate të Ante Paveliqit. Halim Orana është person që, pos lidhjeve me bandat (njësitë guerile në male- A.S), është në lidhje direkte me Barin, ku qëndron Mithat Frashëri me kuislingë të tjerë, të cilët e kanë vendosur  konsull në SHPK. Halim Orana është personi që mban lidhje me Komitetin e Zogut në Kajro dhe me Shtabin e emigracionit shqiptar në Greqi. Halim Orana është ai që mban në sirtarë grumbull pasaportash, me anë të të cilave dërgon njerëz në tërë Evropën Perëndimore.

Halim Orana është ai që mban lidhje me rrethet reaksionare ndërkombëtare dhe me sugjerimin e tyre vjen në Shkup ku lidhet me KQ të ONDSH-së, organizon shumë mbledhje dhe për një kohë të shkurtër kryen punë të mëdha. Personalisht merr pjesë në formimin dhe shtrirjen e komiteteve të NDSH-së, jep udhëzime, organizon Kongresin e organizatës, me të cilin udhëheq dhe aty zgjidhet KQ. Në këtë kongres i jep rëndësi formimit të bandave të reja dhe koordinimit të aktiviteteve të tyre me bandat në Shqipëri, me qëllim të krijimit të një “territori të lirë”…”.

Pas Halim Oranës fjalën e tij e paraqiti kapiten Hysni Rudi, i cili që nga fillimi ishte në lidhje me Hamdi Berishën, nga i cili kishte njoftime për veprimtarinë e NDSH-së në Gjilan dhe në Shkup. Si epror ushtarak në Kongres paraqiti strukturën organizative të forcave të armatosura, nën komandën supreme në krye me Ajet Gërgurin. Pastaj propozoi që në veprimtarinë e NDSH të ekzistojë një hierarki në krye me KQ me qendër në Shkup, me të cilin do të ishin të lidhur komitetet qarkore, kurse me këta të fundit komitetet e rretheve dhe kështu me radhë deri te komitetet vendore. Kjo mund të shihet edhe nga procesverbali i hetuesisë kundër Haki myderrizit dhënë më 4 shtator 1946 para organeve të OZN-së, në Shkup, ku thuhet, ndër të tjera, se në Kongresin e Shkupit është marrë vendimi për formimin e komiteteve në çdo vend, ku ka shqiptarë, në fshatra e në qytete dhe se çdo komitet duhej të kishte kryetarin, sekretarin, arkëtarin dhe informatorin, i cili duhej të kishte rolin e policit. Në procesverbal më tej thuhet: “Detyrë e çdo komiteti është që të jetë i gatshëm dhe të organizojë sa më shum njerëz në terren, për kryengritje kur të vijë koha” dhe shton:  “Këto komitete nuk kanë lidhje as me Zogun,  as me Nolin, por janë thjesht Komitete Nacional Demokratike Shqiptare…”. Hysni Rudi po ashtu kishte propozuar që çdo komitet i NDSH të formojë nga një çetë të armatosur, e cila do të veprojë sipas urdhrit të komitetit përkatës.

Për gjendjen aktuale politike në Shqipëri do të referojë Osman Cani. Tekstin e betimit do ta paraqesë dhe lexoj Mehmet Bushi. Për vazhdimin e kontakteve me misionet ushtarake e diplomatike anglo-amerikane referuan Azem Marana dhe Jonuz Balla, të cilët qysh më parë kishin vënë kantakt me konsullin anglez dhe atë turk në Shkup.

Fjala e Haki Myderrizit në Kongresin e Shkupit

Në bazë të procesverbaleve të hetuesisë, shihet se, pos referuesve të tjerë, edhe myderriz Haki efendiu, i cili përfaqësonte organizatën e NDSH-së për viset e Anamoravës, kishte marrë fjalën i katërti me radhë dhe në diskutimin e tij përmbajtësor informoi të pranishmit për veprimtarinë e suksesshme të Komitetit të qytetit dhe të Rrethit të NDSH në Gjilan, i cili vepronte që nga gjysma e parë e vitit 1945, si dhe të komiteteve lokale në komuna e fshatra të Anamoravës. Mirëpo, për këto të fundit thuhet se vepronin ndaras dhe të lidhura drejtpërsëdrejti me KQ të NDSH në Shkup, e kjo formë e punës pengonte.

Me gjithë përjetimet e  tmerrrshme të Myderrizit para organeve të hetuesisë në burgun e Shkupit, UDB-a nuk kishte arritur  të nxjerrë të dhëna të mjaftueshme lidhur me fjalën e Haki myderrizit në Kongresin e Shkupit dhe aktivitetin e Komitetit Qarkor në Gjilan, e kjo mund të shihet në  procesverbalin e parë të hetuesisë kundër tij, më 4 shtator 1946, në Shkup. Mirëpo, kjo do të arrihet për t’u argumentuar pjesërisht gjatë ballafaqimit me Kemal Skënderin, nënkryetar i KQ në Shkup, më 13 tetor 1946. Thyerja e Kemal Skënderit para dhunës barbare në hetuesi ishte fatale për Haki efendiun dhe disa të tjerë të Komitetit Qarkor në Gjilan, sepse jepeshin të dhëna komprometuese për rolin e myderriz Haki efendiut dhe veprimtarëve të tjerë të NDSH-së në Kosovën Lindore. Më pas edhe Myderrizi gjatë ballafaqimit u detyrua të pranonte atë që kishte pranuar dhe deklaronte para tij Kemali. Ky ballafaqim dëshmon për aktivitetin e veprimtarisë së NDSH-së në Anamoravë, i cili kishte marrë shtrirje dhe e tërë veprimtaria ishte e lidhur me Komitetin Qarkor në Gjilan, në krye me myderriz Haki efendiun dhe përmes tij me KQ të NDSH-së në Shkup.

Në fund të Kongresit IV në Shkup, Halim Orana paraqiti projek-platformën lidhur me organizimin dhe veprimtarinë e mëtejme të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare.

Kongresin e shpalli të mbyllur Halim Orana me përshëndetjen. “Liri shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!”.

Çka parashihte organizata

Kongresi aprovoi një varg dokumentesh me rëndësi historike dhe obliguese për tërë Lëvizjen për Lirimin e Tokave Shqiptare. Ndër këto dokumente më të rëndësishme ishin Skema Organizative dhe Programi, të konceptuara nga Halim Orana. Për shkak të rëndësisë që kanë, në vijim po i japim në origjinal.

Skeman Organizative parashihte:

“Në çdo vend qytet a katund formohet Komiteti i vendit për lirimin e tokave Shqiptare;

Për kordinim pune në mes të këtyne komiteteve të vendit janë”Komitetet Epruer”;

Komiteti Epruer mvaret nga Komiteti Qendruer. Të parët jan në lidhje me Komitetet Epruere kta me Komitetin Qendruer.

Çdo komitet formohet nga: Kryetari, Sekretari, antar i parë, antar i dytë dhe përgjegjës të ndryshëm simbas nevojes.

Këta i ndajnë detyrat dhe përgjegjësinë simbas nevojës e zotësisë. Drejtimin e përgjithshëm e mban kryetari, administron dhe zbaton urdhërat e Komiteteve Epruore;

Sekretari bashk me dy antarët kanë: shërbimin e propagandës të lajmeve edhe si detyrë kryesore, ndërlidhjen, ashtu edhe shërbimin ekonomik dhe politik.

Shërbimit politik i takon kujdesja e posaçme. Për këtë çdo komitet formon  nji trup nën emnin “SIP” (Sigurimi Politik). Sipi e ka për detyrë mbledhjen e informatave mbi personat e ndryshëm dhe heton sigurimin e mirvajtjes së veprimtarisë së komiteteve.

Komitetet e vendit veprojnë në marrëveshtje në mes të antarëve.

Komitetet Eprore kanë po këta persona; por nga shkaku se do të kenë më shumë punë, anëtarët do t’i ndajnë detyrat dhe në rast nevoje të formojnë seksione me referentë dhe përgjegjës”.

Ndërkaq Programi i Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare  përmban këto pika:

1.Liri dhe pamvarsi të plotë me të drejtë vetëqeverimi në bazë të vullnetit të popullit të shfaqun lirisht.

  1. Nën tokat shqiptare kuptohen krejt vendet ku banojnë shqiptarët në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendit dhe nga kush është i pushtuem.

3.Lëvizja nuk ka qëndrim anmiqsor kundër asnji populli fqij as kundër partie politike, vetëm insiston në mënyrë kulturale dhe me armë do të përpiqet m’i arrijtë idealit shekullore të kombit shqiptar qi të jetë i lirë dhe vëtë sundues në shtet të vet me kufij ethnik.

4.Mbasi të vendosen kufijt ethnik, pa marr parasysh tjerat kushte të kufijve si janë ato: strategjik, ekonomik, politik etj., në mënyrë miqësore  do të shkëmbehet popullata  e pakicave nacionale, tue i tërheq shqiptarët qi do të mbetin jasht kufivje në vend t’atyne qi do të shpërngulen dhe do të përcjellen jasht.

  1. Në kohë paqe Lëvizja nuk do të pushoj por do të vazhdoj si shërbim roje të drejtave të popullit shqiptar, si t’atyne të mbrenshme , ashtu edhe t’atyne të jashtme, ndërkomtare tue u organizue për regjim me të vërtetë demokratik dhe për relacione miqsore me popujt fqi Ballkanik.

Konspiracioni i veprimtarisë së ONDSH-së

Rroftë Shqipnija e vërtetë me kufijt e sajë etnikë”- përfundon programi.

Kongresi i Shkupit me aklamacion zgjodhi kryesinë e re të KQ të NDSH-së, kryetar u zgjodh Halim Orana, i cili hapi dhe mbylli punimet e Kongresit, zëvendëskryetar Kemal Skënderi dhe Azem Morana sekretar, ndërsa anëtarë të KQ u zgodhën Jonuz Balla, Mehmet Bushi, Hamdi Berisha, Hysni Rudi, myderriz Haki efendiu, Mehmet Dumani, Osman Cani, Mitat Tërshana dhe Hasan Bilalli. Anëtarët e KQ i kishin të ndarë sektorët për veprim, kështu Hamdi Berisha u caktua delegat për lidhje midis KQ në Shkup dhe komiteteve qarkore në terren të Gjilanit, Ferizajt, Prishtinës, Kaçanikut, Mitrovicës e Vushtërris dhe ka ndihmuar aktivizimin e komiteteve të rretheve në Ferizaj, Han të Elezit dhe Fushë-Kosovë. Kemal Skënderi kishte sektorin për lidhje.  Andaj edhe Haki Efendiu lidhjet me KQ i bënte kryesisht përmes Kemal Skënderit qoftë me kontaktet e drejtpërdrejta qoftë me anën e letrave të shifruara. Person të përshtatshëm dhe të besueshëm për bartjen e letrave nga Gjilani në Shkup dhe anasjelltas, e kishte NDSH-istin, Jakup Salihun-Malishevën, nga Gjilani, i cili zhvillonte një tregti të imët me Shkupin dhe, siç kishte deklaruar më vonë, “Letrat që mi jepte Myderrizi i fshihja  nën këmishë dhe i përcillja aty ku duhej”. Rastin tjetër të bartjes së informatave e dëshmon edhe Nehat Kabashi nga Gjilani, banor në Turqi, i cili thotë: “Një rast në Prishtinë takova vëllanë tim, Nexhatin, që ishte në shoqëri me Kemal Skënderin e Shkupit, me ç’rast Kemajli më dha një letër të mbyllur në zarf, me porosinë që t’ia sjellë Haki myderrizit në Gjilan. Kur unë ia dorëzova letrën, Hoxha mbeti i habitur”. Habia vinte nga shkaku i konspiracionit të veprimtarisë së ONDSH-së.

Shtrirja dhe aktiviteti politik  i ONBDSH-së në Rrethin e Gjilanit

Krahas shumë qyteteve të Kosovës e Maqedonisë edhe në Gjilan, që nga prilli i vitit 1945, vepronte Komiteti i ONDSH-së, i cili shtrinte aktivitetin në qytet dhe në disa pjesë të rrethit. Në shtrirjen e këtij aktiviteti pati rëndësi iniciativa e prof. Gjon Sereqit dhënë Hamdi Berishës, nxënës i gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë. Hamdiu formoi Komitetin e Rinisë së ONDSH në Gjilan, i cili pati rolin e Komitetit të Rrethit dhe arriti të formojë një numër të komiteteve të NDSH në viset e Kosovës Lindore. Lidhur me aktivitetin e NDSH-së në këto anë Hamdi Berisha i kishte folur mikut të tij, kapitenit Hysni Rudi, gjatë takimit në Shkup para Kongresit të Shkupit.

Për fillet e aktivitetin e ONDSH-së në Gjilan e rrethinë mund të shihet edhe nga procesverbalet e hetuesisë kundër Haki Myderrizit dhënë para organeve të UDB-ës në Shkup e Ferizaj, por edhe nga të dhënat memoriale. Në procesverbalin e datës 19 tetor 1946, pas deklaratës së Kemajl Skënderit dhe ballafaqimit me Haki efendiun, Myderrizi do të detyrohet  të pranojë: “ Po, në Kongres kam thënë se ekziston një organizatë, e cila kishte kohë që punonte…” Mirëpo, siç argumentohet, në fillim mënyra e punës së komiteteve lokale në Rrethin e Gjilanit, para Kongresit  IV të Shkupit nuk i përgjigjej nivelit të organizimit, sepse shumë veprimtarë të komiteteve komunale e të fshatrave nga viset e Anamoravës, që nga fillimi vepronin ndaras dhe të lidhur drejtpërsëdrejti me KQ të NDSH në Shkup, siç ishte rasti me mulla Rizah-Poliçkën. Saqip Sylejmani nga Muqiverci, Arif Salihu-Syliqi nga Rogana, të anës së Dardanës, Avni Gashi, mësues nga Tërnoci, dhe të tjerë, të cilët qysh herët përmes Halim Oranës ishin të lidhur direkt me KQ në Shkup. Në Kongresin e Shkupit, për shkak të “lidhjeve të dobëta” të komiteteve lokale në Rrethin e Gjilanit, ishte marrë qëndrim që për hir të një pune më të mirë në pikëpamje organizative, të gjitha komitetet e fshatrave dhe të komunave të NDSH-së, të këtij rrethi,  të mos veprojnë ndaras, por në të ardhmen përmes myderriz Haki Efendiut si kryetar i Komitetit Qarkor në Gjilan dhe anëtar i KQ të NDSH-së në Shkup, të mbahen të gjitha lidhjet me KQ në Shkup.

Sipas të dhënave të Rexhep Bunjakut-NDSH-ist, Komitetin Qarkor të NDSH-së në Gjilan e përbënin 17 anëtarë dhe, pas atij të Pejës, kishte numrin më të madh të anëtarëve në Kosovë, në kuadër të të cilit ishte përfshirë një numër i inteligjencies shqiptare të kohës, nga qyteti e rrethina, të cilët përbënin bërthamën e parë operative, përgjegjëse të këtij komiteti, ku, pos Haki efendiut dhe Hamdi Berishës, të cilët njëherësh ishin edhe anëtarë të KQ në Shkup, bënin pjesë edhe Rexhep Shema-Dajkoci dhe Maliq Sahiti-Qollaku, të cilët së bashku me Haki efendiun përbënin treshen e parë, kurse të tjerët ishin: mulla Riza Osmani-Poliçka, Ramadan Agushi-mësues nga Tërpeza, Destan Ismajli-Budrika- agronom, Mumin Jakupi-mësues, Jakup Salihu-Malisheva, Nijazi Fehmiu-mësues, Arif Syli i Rogoçicës, Hamdi Dalipi i Pograxhës etj. Duhet cekur se të gjithë këta, të përmendurit e të tjerë, si anëtarë të vyeshëm të NDSH-së, dhe intelektualë me autoritet, disa nga të cilët vepronin që nga prilli i vitit 1945, kishin lidhur rreth vetes veprimtarë dhe simpatizues të NDSH dhe të Lëvizjes së Rezistencës, nga të gjitha shtresat, si nëpunës, fshatarë, milicë etj., të cilët për çështje të konspiracionit vepronin në sistemin e treshes.

Komitetet lokale në tri komunat e Anamoravës

Pas përfundimit të Kongresit të KQ të NDSH-së në Shkup, Haki efendiu të nesërmen erdhi në Gjilan dhe iu përvesh punës me përkushtim për realizimin e kërkesave që dilnin nga Kongresi, duke sjellë me vete Programin dhe Skemën Organizative, të cilat do të shërbejnë si bazë për çdo aktivitet dhe veprim në terren. Fillimisht thirri dy anëtarët operativë të Komitetit Qarkor në Gjilan, Rexhep Shemën-Dajkocin dhe Maliq Sahitin-Qollakun, me të cilët mbajti mbledhjen në shtëpinë e Maliq Sahitit ku i informoi për punën e Kongresit dhe vendimet e tij. Meqenëse deri në atë kohë shtrirja e aktivitetit të Komitetit në Gjilan ishte e kufizuar, kurse pjesa dërrmuese e komiteteve lokale të rrethit vepronin ndaras, të lidhur me KQ në Shkup. Haki Efendiu, kishte marrë autorizimet nga Kongresi për shtrirjen e aktivitetit  të këtij komiteti dhe formimin e komiteteve lokale të ONDSH-së në tri komunat e tanishme të Anamoravës, Gjilan, Viti e Dardanë. Për të funksionuar puna më mirë në terren, ata ndërmorën dhe bënë shumë ndryshime organizative. Së pari i hyn organizimit të komitetit epror të Qarkut të Gjilanit me Haki efendiun kryetar dhe anëtarë Rexhep Shema-Dajkoci dhe Maliq Sahitin, të cilët ishin dy operativistët më të afërm të Komitetit, në aktivitetin e të cilëve kishte besim të plotë Haki Efendiu, por edhe ata e respektonin Myderrizin. Duhet cekur se këtë respekt Rexhepi e kishte shprehur edhe në momentet e fundit të jetës së tij, duke thënë: “Po vdes me atë zhig që nuk pata mundësi për t’ia sjellë eshtrat Haki efendiut në Kosovë, që aq fort e deshi dhe u flijua për të, sepse e di ku e ka varrin dhe kam marrë pjesë në varrimin e tij”.

Përfshirja edhe në formacione ushtarake e politike

Obligimet e dala nga Programi dhe Skema Organizative e Kongresit të Shkupit, bëri që nga kjo kohë çdo anëtar i Komitetit Qarkor për Anamoravë, mori përsipër të formojë nga një komitet komunal ose vendor, kurse komitetet komunale morën përsipër formimin e komitetit të fshatrave. Kjo bëri që me të shpejtë të zgjerohet rrjeti i komiteteve dhe të formohen komitete komunale e të fshatrave në të gjitha viset e kësaj pjese të Kosovës. Çdo komitet kishte kryetarin, nënkryetarin, sekretarin, arkëtarin dhe anëtarët e komitetit.

Krahas formimit të komiteteve, u mor për obligim që në terren të punohet në përfitimin e njerëzve dhe anëtarë të pranohen vetëm ata persona që do të jenë aktivë. Pakënaqësia e masave shqiptare me sistemin e ri okupues komunist bëri që shumë shpejt rreth ONDSH-së të bashkohen shumë veprimtarë e simpatizantë, nga shtresa të ndryshme, një numër i madh i intelektualëve, tregtarëve, një numër i konsiderueshëm i nëpunësve të organeve të pushtetit, të milicisë, oficerë, anëtarë të PKJ e të tjerë. Atëbotë, ishin vendosur lidhjet me njerëzit e rekrutuar në Këshillin e Rrethit dhe pothuajse në të gjitha këshillat e komunave e vendeve, në stacionet e milicisë etj. Një pjesë e këtyre personave ishte përfshirë edhe në formacionet ushtarako-politike të L.p.L.E.T.Sh. Të gjithë këta ndihmonin organizatën në mënyra të ndryshme, jepnin informata, ndihmonin me armë, ushqim, material sanitar etj.

Anëtarët e komiteteve në terren që nga fillimi, me qëllim të konspiracionit, vepronin me pseudonime dhe në sistemin e treshes, i pari me të dytin dhe i dyti me të tretin. Kjo bënte që askush nga Komiteti Qarkor nuk mund t’i njihte anëtarët e komiteteve vendore dhe të fshatrave në terrenet e tjera dhe vetëm ai që ka themeluar komitetin në terrenin e vet. Prandaj, askush nga anëtarët e komiteteve nuk ka pasur mundësi  të njohë një numër të madh të anëtarëve të NDSH-së. Çdo anëtar merrte detyra të caktuara për zgjerimin e rrjetit me anëtarë të rinj, propagandonin kundër pushtetit në vende të caktuara, mblidhnin ndihma në të holla, ushqime e ilaçe për njësitë guerile në mal etj”. Mu nga shkaku i veprimit në kospiracion të thellë, edhe tani, për shkak të kalimit të kohës, është vështirë të mblidhen të dhënat e plota  rreth veprimtarëve të ONDSH-së

Haki Efendiu, si kryetar i Komitetit të Qarkut, gjatë aktivitetit të tij në ONDSH-së, i vetëdijshëm për rrezikun, nuk pushonte së vepruari. Siç thonë bashkëkohanikët, Myderrizi gjatë punës së tij nuk kishte të ndalur dhe  më tepër kujdesej për të tjerët që të mos e pësonin dhe të mos zbulohej rrjeti i organizatës. E sa për vete “Ai kudo  që merrte pjesë në tubime, gjatë diskutimit të tij, jo vetëm që linte përshtypjen e një oratori të rrallë, por edhe të një kundërshtari të rreptë e të pakompromis të pushtetit okupues sllavo-komunist”.

Cili i shte qëllimi thelbësor i ONDSH-së

Pas Kongresit të Shkupit, pos angazhimit të Haki efendiut, mund të veçohet aktivisti i palodhshëm i terrenit, nënkryetari i KQ Rexhep Shema, i cili vepronte sipas udhëzimeve të marra nga Haki myderrizi. Pastaj Maliq Sahiti, i cili mori përsipër të aktivizohet në përfshirjen e numrit sa më të madh të qytetarëve të Gjilanit në ONDSH, obligim të cilin e kreu me sukses, e kjo dëshmohet edhe nga procesverbalet e hetuesisë kundër Maliqit e të tjerëve në Ferizaj. Kështu, nga mesi i vitit 1946, në Rrethin e Gjilanit vepronin me dhjetëra komitete vendore dhe të fshatrave me një numër të madh të anëtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare dhe të ONDSH-së. U forcuan lidhjet me grupet guerile në male, të cilat ndihmoheshin me gjëra ushqimore, të holla, veshmbathje, armatim etj. Për lidhje me njësitë guerile në male ishin njerëzit e caktuar, më të aftit dhe të besueshëm. Përpos Rexhep Shemës, mulla Rizah Osmani- Poliçka e të tjerëve, sipas të dhënave të hetuesisë kundër Hamdi Berishës, lidhjet midis anëtarëve të Komitetit të Qarkut të Gjilanit dhe njësive të  armatosura në mal i mbanin Destan Budrika, i cili mbante lidhje me njësitin e Hasan Alisë-Remnikut si dhe më parë Ramadan Agushi mbante lidhje me Luan Gashin.

Këtë kohë krerët e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, me autoritetin e tyre në popull, bëri që në kuadër të ONDSH-së dhe të L.pL.T.Sh të përvetësonin edhe njerëz të organeve të pushtetit, duke i bindur ata se po i shërbenin okupatorit serbosllav në luftë kundër ndërgjegjes dhe trurit kombëtar shqiptar, kurse qëllimi i NDSH-së dhe në tërësi i L.p.L.T.Sh. është çlirimi i viseve të okupuara dhe bashkimi i tyre në një shtet demokratok shqiptar. Kjo mund të shihet nga të dhënat e shumta zyrtare të kohës, procesverbalet e hetuesisë e të tjera. Kështu, në procesverbalin e aktgjykimit kundër myderriz Haki efendiut decidivisht vihet në spikamë qëllimi thelbësor i ONDSH-së. Aty thuhet:”… Qëllimi i veprimtarisë së kësaj organizate, në të cilën i pandehuri Haki Taipi ishte anëtar dhe organizator, ka qenë që në Kosmet të shkaktojë kryengritjen e armatosur të masave shqiptare që me anë të dhunës të rrezikojë rregullimin shoqëror ekzistues të RFPJ dhe shtetit aleat- Republikës Demokratike të Shqipërisë me qëllim të ndarjes së Kosovës e Metohisë dhe bashkimin e saj me Shqipërinë…me çka bën vepër penale nga neni 3 alineja 7,8 të Ligjit për vepra penale kundër popullit dhe shtetit… Kanë ndihmuar bandat e armatosura balliste me të holla, ushqim dhe armatim.

Konflikte të përgjakshme mes popullatës dhe OZN-ës

Lidhur me aktivitetin e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare mund të gjenden të dhëna edhe në shkrimet e udhëheqësve të UDB-ës. Njëri ndër ta është Rajko Vidaqiq, atëbotë shef i UDB-ës në Ferizaj, i cili në librin e tij “Borba sa balistima”, pos të tjerash, shkruan: “Në të gjitha viset e Kosovës, malet ishin të mbushura përplot kundërshtarë të pushtetit tonë komunist. Kështu në Rrethin e Gjilanit vepronin çetat, të udhëhequra nga Hysen Tërpeza, mulla Idrizi, Sylë Zarbinca, Muharrem Fejza, Bislim Shyt Mareci, Lot Vaku, Hasan Remniku, Hasan Kabashi, Hajriz Kajolli, Ajet Kosovica, Ali Staneci, hoxhë Lipovica, Lam Breznica, Hajdar Tugjeci etj”. Ndërkaq, lidhur me ONDSH-në, ky autor thotë: “Kjo organizatë terroriste udhëhiqet nga intelektualët, si profesorët Ymer Berisha, Gjon Sereqi, Luan Gashi…Haki myderrizi, Liman Staneci etj., të cilët me aktivitetin e tyre kanë arritur për të depërtuar edhe në organet tona të pushtetit,  ishin bërë këshilltarë të grupeve në arrati dhe iu ndihmonin me gjërat e nevojshme. Për çdo ditë kundër tyre ishin në aksion organet e sigurimit, OZN-a, Mbrojtja Popullore dhe milicia, të cilat në terren për çdo ditë hynin nëpër shtëpitë e shqiptarëve, për t’i zbuluar ndihmësit dhe jatakët e tyre në viset malore…

Gjatë këtyre aksioneve, siç dëshmojnë të dhënat e mësimëme dhe ato memoriale, konfliktet ishin të shpeshta dhe të përgjakshme, kurse popullata e atyre viseve, sidomos strehuesit e gueriles, pësonin keq nga organet e pushtetit, torturohej e plaçkitej etj.

Formimi i komitetit sipas autobiografisë së Rexhep Shemës

Siç thamë më lart, edhe tani është vështirë të dihet numri i saktë i të gjithë atyre që punuan për NDSH-në, dhe në tërësi për L.p.L.T.Sh. dhe mu nga shkaku i veprimit  në konspiracion të thellë. Të dhënat e dala nga përfaqësuesit e OZN-së, si të Spasoje Gjakoviqit, atëbotë shef i OZN-së (UDB-ës) për Kosovë e të tjerë, flasin për rreth 30.000 veta, të dhëna që përputhen me ato të KQ të NDSH-së në Shkup. Lidhur me këtë nënkryetari i KQ në Shkup, Kemajl Skënderi, deklaron: “Bazuar në shënimet e mbledhura nga terreni,  ku vepronin 55 degë e nëndegë të NDSH-së, në të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë kishim afër 30.000 anëtarë dhe simpatizantë, prej tyre 4.000 veta ishin në mal nën armë, kurse në prapavijë kishim dy divizione me nga 11.000 veta, gjithsej 22.000 veta”.

Gjithashtu, edhe për numrin e anëtarëve të lëvizjes dhe të komiteteve të NDSH-së në Kosovën Lindore, është vështirë të dihet. Andaj, në mungesë të të dhënave të nevojshme, në vijim po shërbehemi me të dhënat e pjesshme të lëna me shkrim nga Rexhep Shemë-Dajkoci, nënkryetar i Komitetit Qarkor në Gjilan, të cilat i ka shkruar pak ditë para se të ndërronte jetë. Rexhep Shema në Autobiografinë e tij jep të dhëna për vendin e formimit të komiteteve dhe emrat e disa anëtarëve të këtyre komiteteve në Anamoravë, të cilat po i japim në vijim: “Në fshatin Dajkoc formuam komitetin në krye me Raqip Shabanin, në Muqiverc, kryetar Rexhep Ibrahimi (ky komitet kishte për detyrë formimin e komiteteve në fshatrat Sadllar dhe Kranidell), në fshatin Roganë, kryetar Liman Bajrami, në të dy Karaçevat, kryetar Ibrahim Surdulli (ky komitet mori për detyrë formimin komiteteve në fshatrat Muhoc, Gjergjec, Katund i Ri, Ramnabuç dhe Zarbincë), në Shipashnicë, kryetar Sadri Misini. Duhet cekur se Komiteti i Shipashnicës kishte rangun e Komitetit Komunal. Pastaj, në Poliçkë komitetin e kishte formuar mulla Rizah Osmani (ky komitet kishte sektorët në fshatrat Velegllavë e Laqiq), në Hogosht komitetin e formon drejtpërdrejt Haki myderrizi, në Kopërnicë Sylë Ademi, në Koretin Mal Alia, në Topanicë Gani Hoxha, në Pogragjë Muharrem Alia, në Llashticë Bejtulla Lluta, në Zhegër Demush Haziri (i cili ka marrë për detyrë të formojë komitetet në fshatrat e Karadakut), në Kabash mulla Sherifi (që mori përsipër formimin komiteteve në Beguncë dhe Lubishtë), në Sllatinë mulla Zymberi, në Ramjan mulla Jupa, i ngarkuar të formojë komitete edhe në fshatra të afërta, në Cërrnicë mulla Mustafa, në Bresalc mulla Hajrullahu, i cili ka organizuar komitete edhe në Vërbicë, Zhegoc dhe Ponesh, në Dragancë Zylfi Makreshi etj”.

Pas Kongresit të ONDSH-së në Shkup, më 1 qershor 1946, çdo direktivë për veprim të komiteteve të NDSH-së në Kosovë e Maqedoni merrej nga KQ në Shkup dhe për çdo veprim atij duhej raportuar. Nga kjo kohë edhe Komiteti i Qarkut në Gjilan mbante lidhje të rregullta me KQ në Shkup, lidhje të cilat mbaheshin kryesisht përmes Kemal Skënderit, nënkryetar i KQ, i cili ishte përgjegjës në sektorin për komunikim. Pas konsolidimit të veprimtarisë së suksesshme të ONDSH-së në Rrethin e Gjilanit, sipas obligimeve të marra, Haki efendiu shkonte në Shkup për të raportuar para KQ, lidhur me të arriturat e organizimit dhe veprimtarisë së rrjetit të NDSH-së në këto anë, bashkëpunimin me njësitë guerilë në mal etj. Kjo mund të shihet pjesërisht edhe nga të dhënat e aktakuzës dhe aktgjykimit kundër Haki efendiut ku, pos të tjerash, thuhet: “I pandehuri Haki ka raportuar para KQ lidhur me gjendjen organizative në terrenin e Rrethit të Gjilanit, për lidhjet e bëra me të gjitha komitetet e komunave dhe të fshatrave etj…”.

Meqenëse duhej bërë përgatitje për një luftë të domosdoshme për çlirim dhe bashkim kombëtar, sipas pikës së tretë të Programit të NDSH-së, të dalë nga Kongresi i Shkupit, parashihej edhe grumbullimi i armatimit, për nevoja të luftës. Lidhur me armatimin, shumën dhe llojin e armëve të Lëvizjës për Lirimin e Tokave Shqiptare në terren, ishte i njoftuar KQ në Shkup. Nisur nga kjo, ONDSH-ja në Qarkun e Gjilanit kishte grumbulluar dhe mbante të fshehur një sasi të armatimit dhe për një sasi të tij dinin edhe organet e Sigurimit jugosllav. Kjo shihet edhe në bazë të vendimit të aktgjykimin kundër Haki efendiut, ku thuhej: “Sipas deklaratave dhënë në hetuesi, nga ana e Haki efendiut dhe Rexhep Shemës, ata kishin pranuar se kanë të grumbulluar në terren 292 pushkë, 8 mitralozë të lehtë, 3 minahedhës e të tjera…”.

Rexhep Shema aktivist i palodhshëm

Me këtë rast vlen për t’u bërë fjalë për aktivistin e dalluar të L.p.L.E.T.SH., njeriun e palodhshëm të terrenit, Rexhep Shemë-Dajkoci, veprimtaria patriotike e të cilit ishte tejet e dendur. Se ishte personalitet i pathyeshëm, mund të shihet edhe nga procesverbalet e hetuesisë kundër tij dhe anëtarëve të tjerë të Komitetit Qarkor të Gjilanit. Rexhepi i kishte të gjitha cilësitë për të qenë operativisti kryesor në Komitetin e Rrethit të Gjilanit, kishte një moshë të pjekur, ishte trim, militant, i aksionit, i përshtatshëm për veprim në konspiracion, komunikativ, njihte terrenin, kishte kaluar gjitha viset e Kosovës, një kohë kishte jetuar edhe në Shqipëri. Andaj, edhe Haki myderrizi, duke e njohur karakterin dhe aftësinë e tij, kishte besim të plotë tek ai, i jepte detyra dhe angazhime të veçanta  në organizimin dhe koordinimin e aktivitetit të komiteteve lokale të NDSH-së, në shumë vise të Anamoravës, dhënien e direktivave, lidhjet me njësitë guerile të rezistencës në male, furnizimin e tyre me armë ushqim etj. Prandaj, Rexhepin gjithnji e gjejmë në terren sa në Moravë, Gallap, Karadak, sa në Drenicë e vende të tjera, në të shumtën e rasteve udhëtonte këmbë dhe çdoherë i kryente obligimet me përpikëri.

Për mospranimin e veprës gjatë qëndrimit në hetuesi dhe masave të dhunës, nga të dhënat e lëndës për Rexhep Shemën dërguar ndihmësprokurorit publik në Gjilan, nga UDB-a e Ferizajt, më 29 dhjetor 1946, mësojmë për veprimtarinë e pjesshme të Rexhep Shemës, ku thuhet: ”Rexhep Shema ishte në lidhje të përhershme me Lam Breznicën në mal (njërin ndër udhëheqësit e gueriles në viset e Kosovës Lindore) me të cilin kishte pasur lidhje edhe më parë dhe me të tjerë. Në mbledhjen e Komitetit të Qarkut të NDSH-së ai mori përsipër formimin e komiteteve në fshatra. Pandërprerë shkonte në fshatrat Rogoqicë, Dajkoc, Muqivërc, Shipashnicë etj., ku ka përfshirë njerëz në organizatë. Blinte armë për organizatën dhe u dërgonte  ballistëve në mal. Mbante lidhje edhe me anëtarët e KQ të NDSH në Shkup. Mirëpo, armët nuk i pranon.” Kjo që dinin organet e hetuesisë ishte vetëm një pjesë e veprës patriotike të tij dhënë L.p.L.e.T. shqiptare.

NDSH-isti, Ibrahim Cërnilla, nga fshati Cërbillë i Ferizajt, bashkëpunimin e tij me Rexhep Shemën në NDSH, para hetuesisë, ishte përpjekur që ta fshihte, duke e paraqitur si takim rasti dhe me njeriun e panjohur. Lidhur me këtë do të deklarojë: “Në Prishtinë u takova me Sylejman Agën, i moshës 60-vjeçare, kur papritmas në tavolinën tonë erdhi një person i moshës rreth 45 vjeç, ishte me plis në kokë dhe pasi u sigurua se kush isha, u prezantua si zëvendëskryetar i Komitetit të Rrethit të NDSH në Gjilan. Në dukje vërehej i kënaqur dhe tha: “Isha me punë deri në Shtab dhe i gjeta afër fshatit Dobri Dub…kreva punë  dhe u ktheva, dëgjova se do të mbahet një mbledhje, mirëpo nuk di më afërsisht për të…”. Ndërkaq, realiteti ishte tjetër, sepse Cërnilla në memoaret e tij më vonë do të shprehet se “takimi im me Rexhepin tri ditë para Kongresit të Blinajës, ishte takim pune i aranzhuar nga Myderrizi, i cili që më parë më kishte folur për Rexhepin si për njeriun e sigurt dhe të aftë të organizatës”. Më tej Cërnilla flet për Rexhepin si për një njeri të rryer dhe të vendosur për të cilit ruante kujtime të veçanta. Ja si e kujton atë: ”Në burgun e Ferizajt ishim shum keq, bora hynte brenda, ishim me tesha të holla, unë, duke mos mund t’u përballoja vuajtjeve, doja të bëja vetëvrasje, por Rexhepi me të marrë vesh qëllimin tim, m’i drejtoi këto fjalë duke më thënë: ”Nëse bën vetëvrasje ti nuk je shqiptar, por je tradhtar. Dhe falë atij unë sot jam gjallë”. Kur na transferuan në burgun e Gjilanit edhe aty pata fatin të jem në të njëjtën dhomë me Rexhepin…”.

Lidhur me aktivitetin antishtetëror të Rexhep Shemës, mund të shihet edhe nga certifikata e lëshuar në emër të tij më 20 janar 1947, nga Këshilli Popullor i Rrethit në Gjilan, sipas kërkesës së organeve të Gjyqit në Gjilan, më 20 janar 1947. Në certifikatën e lëshuar thuhet: “Gjatë luftës nuk ka pasur qëndrim të mirë, sepse ka mbajtur lidhje me “ballistët” dhe se ka simpatizuar okupatorin”. Gjithashtu edhe lidhur me qëndrimin e tij të pasluftës thuhet se ”Ai edhe pas luftës gjithnjë ka qenë kundërshtar i pushtetit popullor”.

Vlen për të shtuar se Rexhep Shemë-Dajkoci ishte i paktë ndër aktivistët e L.p.L.e.T.Sh., i cili, me gjithë varfërinë që pati, asnjëherë nuk u përkul që të kërkonte një vend pune. Jetoi me nder dhe kurrnjëherë s’u pajtua me pushtetin okupues komunist, duke i qëndruar besnik e deri në vdekje idealit të tij dhe betimit të bërë. Edhe pas daljes nga burgu, pushtetarët komunistë lokalë në Gjilan, Rexhepit do t’ia kenë frikën dhe nuk do ta lënë të qetë, për çdo tubim në Gjilan e rrethinë, apo ndonjë vizitë, sidomos para 28 Nëntorit, e izolonin përherë dhe e mbanin për disa ditë në burg.

     Kongresi i Blinaujës më 25 korrik 1946

Rrethanat e krijuara shtruan për obligim para udhëheqësve të ONDSH-së që, ende pa kaluar dy muaj, të thërrasin Kongresin e ri, në të cilin do të diskutohet për masat që duhej marrë  në ruajtjen e veprimtarisë së lëvizjes, për bashkimin në një organizatë të vetme të grupeve, që vepronin me emra të ndryshëm dhe të shqyrtonte direktivën për tërheqjen e forcave të armatosura të rezistencës nga Kosova dhe Maqedonia. Më 2 korrik 1946, në Drenicë erdhi Kemal Skënderi, nënkryetar i KQ të ONDSH-së, me direktivën për thirrjen e Kongresit, kurse punën rreth organizimit dhe sigurimit të Kongresit e morën Ajet Gërguri, Gjon Serreqi, i cili që nga prilli 1946 kishte kaluar në ilegalitet, pastaj Kemal Skënderi nga KQ i Shkupit, Arif Shala, Azem Jashanica dhe Ismajl Dragusha.

Kongresi u mbajt në malet e Blinajës, në Drenicë, afër Lipjanit, më 25 korrik 1946, në të cilin morën pjesë udhëheqësit e shquar të ONDSH-së, siç ishin:Ibrahim Lutfiu, Ajet Gërguri, Gjon Sereqi, Ibrahim Cërnilla, Rrustem Statoci, Hasan Bilalli nga KQ, Abdullah Musliu, Rexhep Shema–Dajkoci, Riza Strellci etj., si dhe komandantët e grupeve të armatosura Osmon Bunjaku, Ukshin Kovaqica, Hilmi Zariqi, Ukë Sadiku, Shyt Mareci e të tjerë. Ky kongres ishte më masivi  për nga numri i pjesëmarrësve, rreth 200 veta, të cilët përfaqësonin komitetet nga Kosova e Maqedonia.

Komiteti i Qarkut të NDSH-së në Gjilan me kohë ishte i informuar për mbajtjen e Kongresit, përmes Kemal Skënderit. Sipas Maliq Sahitit-Qollakut, Komiteti i Rrethit mbajti mbledhjen e kryesisë, ku ishte aprovuar mbajtja e Kongresit dhe si delegat ishin propozuar: Rexhep Shema, Hamdi Berisha dhe mundësisht edhe Haki efendiu. Mirëpo, në prag të mbajtjes së Kongresit, më 14 korrik, burgoset Hamdi Berisha dhe dy ditë më vonë pjesa më e madhe e anëtarëve të KQ të ONDSH-së në Shkup, prandaj në Kongresin e Blinajës si përfaqësues i Komitetit të Rrethit të Gjilanit pati mundësi të marrë pjesë vetëm Rexhep Shema, kurse në emër të veprimtarëve të NDSH të anës së Dardanës, me propozimin e Rexhep Shemës, mori pjesë Bajram Kryeziu nga Rogoçica, xehetar. Ndërkaq, në emër të forcave të armatosura të rezistencës së Kosovës Lindore mori pjesë Shyt Mareci, me 3-4 përcjellës.

UDB shfrytëzon hoxhollarët

UDB-a, me aktivitetin e saj përmes spiunëve të vet të futur në radhët e ONDSH-së, kishte arritur të ketë të dhëna të mjaftueshme për mbajtjen e Kongresit në fjalë. Duhet cekur se njëri ndër spiunët e OZN-së ishte edhe mulla Shaip Asllani i Komogllavës së Ferizajt, me banim në Shkup, i cili për këtë shërbim më vonë ishte shpërblyer me pozitën e kryeimamit të Maqedonisë. Pothuajse të njëjtin rol luante edhe baxhanaku i tij, hafëz Zuhdia nga Poneshi, po ashtu me banim në Shkup. UDB-a, nisur nga  pozita dhe autoriteti i hoxhallarëve në popull dhe nga shkaku se në mesin e veprimtarëve të NDSH-së ishte një numër jo i vogël i ylemave të fesë, këta dy persona të sipërpërmendur e disa të tjerë i kishte  infiltruar në radhët e ONDSH-së dhe përmes tyre kishin arritur të kenë të dhëna të mjaftueshme për veprimtarinë e sajë dhe kjo mundësoi burgosjen e anëtarëve të KQ të NDSH në Shkup dhe të anëtarëve të tjerë. Edhe sipas dëshmisë së veprimtarit të shquar të ONDSH-së në Komitetin Qarkor të Ferizajt, Abdulla Musliu, organet e OZN-së e kishin dërguar mulla Shaipin në Gjilan  për të kontaktuar me Haki myderrizin dhe në Ferizaj me  Abdulla Musliun, për t’i zbuluar veprimtarët dhe aktivitetin e NDSH-së në këto anë.

Ndërkaq, për mbajtjen e Kongresit UDB-a ishte njoftuar përmes spiunit Rexhep Alushi nga Carrabregu i Deçanit, i cili erdhi në Kongres, por shpejt u zbulua dhe para se të likuidohej kishte pranuar se kishte marrë pjesë në spiunimin dhe në likuidimin e Ymer Berishës me 11 luftëtar të tjerë në malet e Hereqit të Gjakovës, më 11 korrik 1946, dhe se në tunelin afër fshatit Baicë gjendeshin dy kompani të ushtrisë jugosllave të gatshme për të vepruar. Me gjithë përpjekjet, UDB-a nuk mundi të zbulonte vendin e mbajtjes së Kongresit, i cili i zhvilloi punimet sipas rendit të paraparë.

Vazhdimi i kontakteve me vendet perëndoimore

Referatin mbi gjendjen në viset e pushtuara shqiptare, vështirësitë e veprimtarisë së LNDSH-së dhe detyrat e anëtarërve të saj e mbajti prof. Gjon Sereqi, me një vështrim për domosdoshmërinë e vazhdimit të kontakteve me vendet perëndimore. Kongresi zgjodhi KQ të LNDSH me kryetar Gjon Sereqin, komandën supreme të ushtrisë dhe komandanët e katër zonave ushtarake të Kosovës. Sipas disa të dhënave, në Kryesinë e Kongresit do të zgjidhen dy përfaqësues nga Kosova Lindore-Rexhep Shemë-Dajkoci, përfaqësues i ONDSH-së, dhe Shyt Mareci, përfaqësues i gueriles. Kongresi vendosi që të gjithë ata që ishin dekonspiruar duhej të kalonin në mënyrë të organizuar në Greqi për të vazhduar aktivitetin e tyre nga jashtë, ndonëse me këtë nuk u pajtuan një pjesë  e veprimtarëve të LNDSH-së dhe të drejtuesve të grupeve të armatosura. Në mesin e udhëheqësve të grupeve të armatosura, të cilët nuk u pajtuan për t’u larguar nga Kosova ishte edhe Shyt Mareci, i cili pas Kongresit, me përcjellësit e tij, 3-4 veta, më 2 gusht u kthye në viset e Gallapit për të vazhduar rezistencën e armatosur. Pas përfundimit të Kongresit të Blinajës, delegatët u shpërndanë në grupe të vogla për në viset e tyre.

Po atë mbrëmje, pas përfundimit të Kongresit, grupi i Ajet Gërgurit dhe Gjon Sereqit, me ndihmën e Ibrahim Cërnillës, u gjend në Gadime, ku formoi Komitetin e NDSH-së prej 12 anëtarësh dhe më pas kaloi në Kabash të Prizrenit, ku kontaktoi me Ibrahim Lutfiun dhe kishte për qëllim të kalonte në Greqi. Mirëpo, pas tri ditësh rrethohet nga forcat policore e ushtarake jugosllave dhe pas luftimeve disaorëshe  mbeti i vrarë Emin Saraqi me dy të tjerë, por nuk u kap asnjë nga udhëheqësit e lëvizjes.

Kalimi i Gjon Sereqit në Kosovën Lindore

Pas çarjes së rrethimit, Gjon Sereqi u nda nga grupi dhe nga mesi i gushtit 1946, së bashku me Osman Abazin-Gagicën kaloi në anën e Ferizajt dhe nga aty në Kosovën Juglindore, për t’u vendosur në viset e Dardanës. Para kalimit të Gjonit në këto anë, Komiteti i Rrethit të NDSH-së në Gjilan mbajti mbledhjen e Komitetit, ku shqyrtonte mundësitë e strehimit të Gjonit në Gjilan dhe morën vendim për ta strehuar në shtëpinë e Jakup Malishevës.  Mirëpo, vetë Gjoni hoqi dorë nga oferta, duke konsideruar se mund të jetë i rrezikuar në qytet. Strehimin e Gjonit në viset e Dardanës e siguruan anëtarët e Komitetit të Rrethit të Gjilanit: Rexhep Shema, Sadri Misini, Lam Breznica udhëheqës i gueriles, me ndihmën edhe të Isa Dujakës nga Gjakova, komandant i postëmilicisë në Shipashnicë të Epërme, me të cilin Rexhepi edhe më parë mbante lidhje të fshehta bashkëpunimi.

Kalimi i Gjon Sereqit në Kosovën Lindore ndikoi në forcimin e aktivitetit të  ONDSH-së në këto anë. Më 3 tetor 1946, ai formoi Komitetin Komunal të NDSH-së në Shpashnicë të Epërme, në shtëpinë e Ramadan Dërmakut, me kryetar Sadri Misini-Dërmaku dhe anëtarë Ramadan Dërmaku, Saqip Sylejmani i Muçivërcit, Bajram Kryeziu i Rogaçicës, Qemajl Hoxha nga Zarbica, Shaban Surdulli nga Karaçeva, Qemajl Kallaba dhe Ali Kallaba. Të gjithë këtyre Gjoni ua kishte caktuar emrat me pseudonime dhe i angazhoi në formimin e komiteteve lokale dhe forcimin e lidhjeve me njësitë guerile në male. Kështu, brenda një kohe të shkurtër, Komiteti i Shipashnicës shtriu aktivitetin në shumë fshatra të anës së Dardanës. Kurse takimi i Gjonit me Komitetin e NDSH-së në Tërnoc, i aranzhuar nga aktivisti Rexhep Shema-Dajkoci, i dha impuls të ri aktivitetit, i cili zgjeroi veprimtarinë në fshatrat  tjera të Bujanocit e Preshevës.

Deklarata e Gjonit dhënë para hetuesisë

Atëbotë, së bashku me Gjonin në arrati ndodheshin edhe vrasësit e ndihmësshefit të UDB-së në Gjilan, kriminelit Shefki Beqiri-Gadimja, Xhep Shipashnica, Taip Selimi-Dajkoci dhe Hamdi Beha i Karaçevës. Këtë vrasje e kishte organizuar Ali Kallaba, më 25 korrik 1946.  Për këtë vepër më vonë që të tre Gjyqi Ushtarak në Prishtinë i dënoi me vdekje dhe u ekzekutuan. Duhet cekur se kjo vrasje hynte në kuadër të vendimeve të marra në Kongresin  IV të KQ në Shkup, për t’iu ofruar bashkëpunim njerëzve që bashkëpunonin me organet e ndjekjes e nëse edhe më tutje bashkëpunojnë dhe i shkaktojnë dëme lëvizjes, duhet likuiduar.

Lidhur me aktivitetin e tij në formimin e komiteteve në anën e Dardanës, Gjoni flet edhe në deklaratën e tij dhënë para hetuesisë, ku thotë: ”Në tetor 1946, në Shipashnicë të Epërme kam shkuar me detyrë për të formuar Komitetin komunal të NDSH-së, i cili në moment të duhur, kur të bjerë pushteti i tanishëm, ta marrë pushtetin në dorë si dhe t’iu ndihmojë “bandave” balliste me ndihma materiale”…

Gjatë qëndrimit në Kosovën Lindore, Gjon Sereqi koordinonte aktivitetin e L.p.L.T.SH në këto anë dhe  mbante lidhje të rregullta me Komitetin e Rrethit në Gjilan, me njësitë guerile në mal dhe me KQ të NDSH-së në Shkup. Sipas deklarimit të Sylë Kopërnicës, Gjoni pati takime të veçanta me myderriz Haki Efendiun dhe njëri prej këtyre takimeve ishte mbajtur në Shipashnicëtë Epërme, ku ishin konsultuar dhe kishin marrë vendime të rëndësishme, rreth organizimit dhe aktivitetit të mëtejmë të NDSH-së në viset e Anamoravës. Për lidhje me KQ në Shkup dhe Komitetin Qarkor në Gjilan, kishte mulla Rizah Osmanin, Saqip Sylejmanin dhe Arif Salihun, të cilët nga një herë në javë shkonin edhe në Shkup, ku dërgonin dhe mernin raporte me gojë e me shkrim, lidhur me aktivitetin e NDSH-së në këto anë dhe në vise të tjera. Këto raporte, sipas diktimit të Gjonit, për një kohë do t’i shkruajë Taip Selim- Dajkoci, i cili, edhe pse autodidakt, kishte një kaligrafi shumë të bukur dhe ishte gravues i pasionuar. Taipi, me kërkesën e Gjonit, e kishte gdhendur vulën me shenjën e Komitetit të NDSH-së në Shipashnicë, me anën e së cilë vuloseshin raportet që dërgoheshin në Shkup apo gjetkë. Kjo vulë është gjetur në shtëpinë e bashkëpunëtorit të Gjonit, Shefki Abazi, në fshatin Rogoçicë. Taipi kishte lënë edhe disa letra të shkruara me dorën e tij, lidhur me aktivitetin e NDSH-së në këto anë, mirëpo i biri, Alidemi, nga frika se do të binte në duar të organeve të pushtetit, për shkak të kontrollimeve të shpeshta, i kishte asgjësuar ato.

Arrestimi i Hamdi Berishës dhe i anëtarëve të KQ në Shkup

Në prag të Kongresit të Blinajës, së pari u kap operativisti i Komitetit Qendror për Kosovë, Hamdi Berisha, më 14 korrik. Hamdiu, edhe gjatë kohës sa ishte në ilegalitet, nuk pushoi aktivitetin, por koordinonte aktivitetin e veprimit midis komiteteve qarkore të NDSH-së në Kosovë dhe KQ në Shkup, lidhjet e tyre me njësitë guerile në male, kishte kontakte të rregullta me Gjon Sereqin në ilegalitet etj. Mirëpo,  në një rast, duke u kthyer me tren nga Kaçaniku për në Ferizaj, treni ndalet dhe ai arrestohet nga operativistët e UDB-ës. Hamdiu mposhtet nga dhuna barbare në hetuesi dhe, siç shprehet shefi i UDB-ës në Ferizaj, Rajko Vidaqiq, Hamdi Berisha pas “përpunimit” tonë, ka “kënduar”, dhe kjo ka mundësuar zbulimin e KQ në Shkup. Kështu, organet e UDB-së, më 24 korrik 1946, ndërmorën një veprim të shpejtë dhe burgosën pjesën më të madhe të anëtarëve të KQ të Shkupit, si Azem Moranën, sekretar i KQ, Mehmet Dumanin, Jonuz Balën, Mehmet Bushin, kapitenin Hysni Rudi, Osman Camin, dr. Qerem Zllatkun dhe Spiro Teodosin, më pas edhe Kemajl Skënderi e më vonë edhe Hasan Bilalli do të ekstradohen nga Shqipëria për t’u gjykuar në Shkup. Pas pak do të burgosen edhe drejtues të tjerë të organizatës së NDSH në Strugë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kumanovë e në qytete të tjera shqiptare në Maqedoni.

Loading...