Në sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit, familjet Çoçaj dhe Avdija shtrijnë dorën e pajtimit

vull

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në zyrën e tij familjen Çoçaj nga Hasi I Prizrenit dhe familjen Avdija nga Peja, në prezencën e një numri të madh të pjesëmarrësve nga dy familjet për të shtri dorën e pajtimit dhe faljes njëra – tjetrës për aksidentin që ndodhi me 7 mars në Gjilan, me ç’rast ka humbur jetën Qerim Çoçaj.

Në sallën e Kuvendit Komunal, Refki Çoçaj, në prezencën e kryetarit Lutfi Haziri, ndërmjetësuesit Fetah Bekolli e kryetarit të Bashkësisë Islame të Gjilanit, Naim Aliu, zgjati dorën e pajtimit dhe të faljes familjes së Sokol Avdiaj nga Peja, duke thënë se “Për nder të madhit Zot, të shpirtit të babës, të edukatës që ai na ka dhënë neve, ju qoftë falë gjaku i babës”.

E Sokol Avdija, babai i shoferit që ka shkaktuar aksidentin tragjik, me emocione të mëdha dhe prekëse ka thënë shkurtimisht që e ka shumë të vështirë të gjej ndonjë fjalë për të përshkruar këtë akt të sotëm.

“E kam shumë të vështirë të flas. Do të doja që unë të isha atje, e ai të jetonte sot. Por, qenka e vështirë. Zoti ju shpërbleftë familjen tuaj”.

Ndërsa, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka thënë se Qerimin do ta kemi gjithmonë në kujtimet tona, si një njeri të mirë dhe me vyrtyte të larta njerëzore, humane e intelektuale.

“Qerimin do ta mbajmë në mendje gjithmonë për urtësinë e tij, për butësinë, fjalët e mira dhe humanizmin e tij të vazhdueshëm. 7 marsi ishte një ditë e rëndë për të gjithë ne, por që është vendosur mbi shpatullat dhe peshën e Qerimit. Ai ka shpëtuar tre fëmijë nga një aksident shumë i rëndë. Vrapi dhe intervenimi i tij ka bërë që të ndal një tragjedi edhe më të madhe. Pas vetes, Qerimi ka lënë një familje të mrekullueshme, dy djemtë, vajzat dhe familjen e gjerë, e cila menjëherë atë natë kanë bërë aktin e madh duke ftuar burrërisht familjen nga Peja që të jetë së bashku për të ndarë dhimbjen dhe mërzinë”, ka thënë kryetari Haziri.

Kryetari Haziri, ka thënë se kjo falje erdhi si vlerë e pjekurisë së madhe që ka treguar Refkiu dhe familja Çoçaj.

“Familjes Çoçaj, Komuna e Gjilanit do t’i qëndroj gjithmonë afër. Dy familjet që sot keni shtrirë dorën e pajtimit, tani e tutje jeni edhe pjesë e Gjilanit. Do u bëjmë gjysëm gjilanas edhe juve. Urojmë që asnjëherë akte të tilla të mos përsëriten në asnjë vend. Ky akt i sotëm le të mbetet një mesazh edhe për familjet tjera që janë në ngatërresa, që të shtrijnë dorën e pajtimit edhe ato gjatë të ardhmes”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërmjetësuesi i rastit, Fetah Bekolli, imam nga Hasi i Prizrenit, ka thënë se gjaku që është falur me shtrimin e dorës së pajtimit në shtëpinë e popullit, ku punohet dhe veprohet shqip, është me kërkesë të familjes Çoçaj, për të shprehur falënderimin e tyre për afërsinë që gjithë qytetarët e Gjilanit kanë ofruar në momentet më të vështira për ta, për të tejkaluar dhimbjen e madhe që kishin për familjarin e tyre Qerim Çoçaj.

“Dora e pajtimit është dorë e dashur edhe te i madhi Zot. Dora që jep është më e madhe dhe më e dashur se ajo që merr. Ky akt i sotëm është krijuar me edukatën e gjatë të familjes dhe posaçërisht të prindit të tyre. Zoti i bekoftë dy familjet dhe qofshin në miqësi të vazhdueshme e pa asnjë problem”, ka thënë, ndër të tjera, Bekolli.

Naim Aliu, kryetar i KBI në Gjilan, ka thënë se Qerimi i ndjerë, djemtë e tij për së gjalli me aktin e tyre kanë bashkuar në këtë ditë xhumaje katër treva, Gjilanin, Prizrenin, Hasin dhe Pejën.

“Falënderoj kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, familjen Çoçaj, imamin Bekolli, dhe kjo tragjedi e përbashkët uroj që të kthehet në miqësi gjatë të ardhmes”, ka përfunduar Aliu.

Next Post

Pjesëtarët e Batalionit të Dytë të Brigadës së Reagimit të Shpejtë realizuan marshimin taktik gjatë natës

Në bazë të Planit të trajnimeve dhe aktiviteteve për vitin 2019, Batalioni i Dytë i Brigadës së Reagimit të Shpejtë ( BRSH ) në Istog, më 28.03.2019, ka realizuar marshimin taktik gjatë natës, në një gjatësi prej 18 km. Pjesëmarrës në këtë marshim ishin gjithsej 172 pjesëtarë nga: Stafi i […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: