Kushdo që ka ardhur në Gjermani dhe ka perspektivë për të qëndruar duhet të integrohet sa më shpejt në tregun e punës, shkruajnë mediat gjermane.

Ministri gjerman i Punës Hubertus Heil dëshiron të bëjë një plan që do të lejojë qindra mijëra refugjatë të gjejnë punë më shpejt. CDU dhe FDP janë skeptikë ndaj planit të ministrit.

Një politikan i SPD-së njoftoi se fokusi duhet të jetë në “punësimin e shpejtë të refugjatëve që kanë nevojë për ndihmë shtetërore dhe që e kanë mësuar tashmë gjuhën”, raporton revista Fenix.

“Ne duam dhe do t’i sjellim më shpejt këta njerëz nga bankat në kurset e integrimit në vendin e punës”. Në këtë kuadër ai foli për projektin “Job-Turbo” që duhet të nisë së shpejti.

Heil dëshiron t’ia besojë këtë detyrë menaxhmentit të Agjencisë Gjermane të Punësimit. Për integrimin e refugjatëve në tregun e punës do të caktohet një përfaqësues special i Qeverisë. Qeveria ende nuk e ka miratuar këtë vendim.

Sipas mediave, përfaqësuesi special duhet të përgatisë agjencitë e punësimit për detyrën e re dhe të bisedojë me përfaqësues të ekonomisë.

Detyra e tij do të jetë gjithashtu të zbulojë nëpër qytete nëse ka kujdes të mjaftueshëm për fëmijët në mënyrë që nënat të mund të gjejnë një punë dhe t’i bashkohen tregut të punës.

“Puna krijon integrim”

Gjermania ka pranuar më shumë se një milion refugjatë nga Ukraina që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022. Më pas qeveria vendosi që refugjatët do të kishin menjëherë të drejtën për një ndihmë civile – Bürgergeld.

Sipas informacioneve të Agjencisë së Punësimit, shkalla e punësimit të ukrainasve në Gjermani është aktualisht 19 për qind.

Qendrat e punësimit të Agjencisë tani synojnë t’u ofrojnë një mbështetje edhe më të madhe refugjatëve të aftë për punë dhe në bashkëpunim me subjektet e biznesit t’i punësojnë ata në mënyrë specifike.

“Ekonomia gjermane ka nevojë urgjente për punëtorë dhe njerëz të kualifikuar, puna krijon integrim”, tha ministri gjerman Heil.

Nga ana tjetër, ministri kërkoi nga refugjatët bashkëpunim aktiv. Ofertat e punës duhet të pranohen.

Nëse nuk ka bashkëpunim, përfitimet që marrin refugjatët mund të reduktohen. Kushdo që merr Bürgergeld në të ardhmen mund të ketë gjithashtu obligime pune.

By vull