“Fatkeqësisht sot u dëshmua se ish-regjimi i VMRO-së në krye me Nikolla Gruevski është në bashkëpunim me BDI-në. Mendova se u ndanë në vitin 2016, por tani doli në dritë se ata mbanin kontakte fshehurazi, e ndihmonin njëri-tjetrin dhe sot zoti Osmani dëshmoi se po punojnë për ta rikthyer Gruevskin këtu. Prandaj ndryshuan Kodin Penal, për këtë po flasin për ligj amnistie, vetëm për të qenë në funksion të kthimit të Gruevskit”, tha Mexhiti për Lajm .

Ndërkaq, ministri i Jashtëm Bujar Osmani tha se ish-kryeministri Nikolla Gruevski duhet të jetë në Maqedoni për t’u përballur me drejtësinë.

“Nga pikëpamja politike, është një çështje që e di që do të abuzohet, por nga pikëpamja e sigurisë, të kesh një kryeministër që ishte kryeministër për më shumë se 10 vjet dhe kishte të gjitha informacionet e shtetit, dhe është në dorën e një shteti tjetër, kjo nuk është mirë për asnjë shtet”, tha Osmani.

Në të njëjtën kohë, tha ai, nuk ka iniciativë për kthimin e Gruevskit.

“Më mirë të jetë këtu dhe të merret me proceset gjyqësore që ka. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Kështu e them këtë në mënyrë analitike. Por gjithë kjo famë për një lloj komunikimi është një frikë psikologjike që ne nuk e kuptojmë”, tha Osmani.

By vull