“Realisht edhe kemi pushuar, por më pas kthimi në stërvitje na solli tempo të shtuar të punës. Kemi ndeshje si vendas me Brera-n dhe Voskën, nëse marrim pikë maksimale, gjasat janë reale ta risim diferencën në krye të renditjes”, thotë Bashkim Velija.

Me seancën e sotme stërvitore kuqezinjtë mbyllën mini-përgatitjet duke përfituar nga pauza e kampionatit, derisa nga e marta puna do të pëtshtatet për duelin me Brera Strumicën në kuadër të xhiros së 11-të në LPFM. Shkëndija të dielën e shkuar fitoi 2:0 në fushë të Vardarit dhe futbollistët morën tre ditë pushim nga stafi teknik. Kthimi në punë ishte i furishëm dhe stafi teknik nga e enjtja, deri sot imponoi tempo me intensitet të shtuar, duke i kushtuar vëmendje edhe ngarkesë fizike paralel me segmentet tjera të ndërtimit të lojës. Të hënën programi sjell ditë të lirë, derisa nga e marta në “menu” do të jetë ndeshja me Brera-n.

“Pushimi erdhi në moment të duhur. Realisht edhe kemi pushuar, por më pas kthimi në stërvitje na solli tempo të shtuar të punës. E dimë se duhej ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë pauzë, sepse na presin ndeshje me rëndësi. Kemi ndeshje si vendas me Brera-n dhe Voskën, nëse marrim pikë maksimale, gjasat janë reale ta risim diferencën në krye të renditjes”, shprehet mbrojtësi i djathtë Bashkim Velija.

By vull