Presidenti i Real Madridit dhe njeriu më i fuqishëm i futbollit spanjoll, Florentino Perez, në fjalën e tij të mbajtur në mbledhjen vjetore të klubit, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj UEFA-s. Ndër të tjera ai tha se formati i ri i Champions League është absurd dhe do të largojë tifozët nga futbolli.

Njeriu i parë i Realit tha se futbolli europian është në një krizë të madhe dhe se duhet reaguar urgjentisht që futbolli siç e njohim të mos zhduket.

Perez beson se ai dhe klubi i tij do të jenë liderët e ndryshimit, në atë që ai e quajti një situatë krize.

“Real Madridi ka përgjegjësi për futbollin evropian. Reali do të kishte qenë shumë më i lehtë nëse nuk do ta drejtonte këtë projekt (Super League), i cili nuk është i popullarizuar, por partnerë të dashur, këtë e kërkon historia nga ne. Ne e kemi për detyrë t’u ofrojmë fansave shfaqjen më të mirë të mundshme. Gjithashtu duam ta bëjmë më të lirë aksesin në futboll në televizion, ku ofrohet spektakli i sotëm gjithnjë e më i dobët. Nuk ka kuptim që aksesi për të parë ndeshjet në TV kushton 10% të pagës minimale. Superliga u krijua për të zgjidhur të gjitha këto probleme. Unë do të vazhdoj të besoj në drejtësinë e Bashkimit Europian sepse UEFA nuk ka të drejtë të monopolit në futboll dhe liritë europiane”, ka dërguar një mesazh të ashpër Peres dhe ka paralajmëruar gjithashtu luftën deri në fund për Superligën e klubeve më të forta europiane.

Ai kritikon edhe formatin e ri të Ligës së Kampionëve, në të cilin do të marrin pjesë 36 klube nga sezoni i ardhshëm në vend të 32 të mëparshëm.

“Formati i ri është një projekt i pazakontë dhe absurd. Një model i tillë vetëm sa do t’i largojë më tej tifozët nga futbolli, veçanërisht ata më të rinjtë. Formati i ri është më i përshtatshmi për ata, burimet e të ardhurave të të cilëve varen prej tij. Është një sistem që është në interes të menaxherit dhe nuk merr parasysh nevojat e lojtarëve dhe tifozëve. Kështu do të shuhet futbolli europian, nuk ka risi, nuk janë të vetëdijshëm për rritjen e sporteve të tjera”.

Peres thotë se futbolli si sport po përjeton krizën më të madhe.

“Futbolli po përjeton një krizë institucionale të paprecedentë. Situata është shumë e rëndë. Ose reagojmë tani ose futbolli nuk do të mbijetojë. Problemi më i madh është se ka njerëz që drejtojnë futboll dhe nuk mendojnë për tifozët. Futbolli evropian nuk i përket presidentit të UEFA-s dhe futbolli spanjoll nuk i përket La Ligës. Futbolli ka nevojë për Superligën tani më shumë se kurrë. Qëllimi është të ofrohet futbolli më i mirë dhe janë klubet që duhet të kontrollojnë vetë fatin e tyre. Klubet humbasin miliona çdo vit, pavarësisht se sa para kanë pronarët e tyre. Kërkoj gjithashtu futjen e rregulloreve të reja për lojën e ndershme, të cilat disa klube nuk i respektojnë dhe askush nuk i ndëshkon për këtë. Situata nuk është e qëndrueshme dhe as nuk mund të jetë. Na akuzojnë se duam të largohemi nga kampionati kombëtar, kjo është një gënjeshtër e madhe”.

By vull