12 nëntor, 2023 – Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore në përballje me Izraelin, të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 1:0. Kjo është fitorja e dytë radhazi e Dardanëve në kuadër të Grupit I për Euro 2024, por e para në shtëpi në këtë cikël kualifikues. Kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohej në tetor, por u shty shkaku i situatës në Lindjen e Mesme. Kosova pati paraqitje shumë të mirë në një terren tejet të rënduar për lojë si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut gjatë tërë ditës. Dardanët e mbizotëruan plotësisht lojën në pjesën e parë, teksa rrugën e golit e gjeti në minutën e 41-të, kur Milot Rashica shënoi me gjuajtje të bukur brenda zonës, pas asistimit të Vedat Muriqit me kokë. Ky doli të ishte edhe goli i fitores. Kosova pati mundësi të mira shënimi edhe në pjesën e dytë, por fusha e rënduar pengoi lojtarët të finalizojnë rastet e krijuara. Gjithsesi, Dardanët arritën ta menaxhojnë epërsinë e një goli deri në fund dhe me meritë iu gëzuan tri pikëve të radhës. Megjithatë, festën e zbehu lëndimi i Vedat Muriqit në minutën e 66-të. Tani Kosova ka 10 pikë nga 8 ndeshje të zhvilluara dhe zë pozitën e pestë, derisa Izraeli mbetet në pozitën e katërt me 11 pikë në shtatë ndeshje të zhvilluara. Kosova dy ndeshjet e fundit të këtij cikli kualifikues i zhvillon kundër Zvicrës, më 18 nëntor në Bazel dhe kundër Bjellorusisë, më 21 nëntor në “Fadil Vokrri”.

By vull