Kryeqyteti indian, Nju Delhi, është sot i mbështjellë nga një shtresë e trashë ndotjeje toksike, për shkak të së cilës disa shkolla janë mbyllur dhe problemet shëndetësore po shtohen.

Kryeqyteti i Indisë ka kryesuar sërish listën e qyteteve me ajrin më të ndotur të përpiluar nga grupi zviceran IQAir.

Kryeqyteti indian ishte sot në 640 në shkallën AQI, i cili konsiderohet një nivel “i rrezikshëm”. Në vendin e dytë është qyteti pakistanez Lahore me 335, raporton Reuters.

Autoritetet rajonale thanë se ndotja e ajrit ishte shkaktuar nga një kombinim i temperaturave më të ftohta, mungesës së erës dhe djegies së fushave të fermave aty pranë.

Shumë prej 20 milionë banorëve të Nju Delhit u ankuan për djegie të syve dhe dhimbje të fytit pasi ajri u bë gri i errët.

“Në 24 orët e fundit kam parë foshnje që kolliten, fëmijë që vijnë me vështirësi dhe frymëmarrje të shpejtë,” shkroi mjeku nga Delhi Ahid Khan në X.

Zyrtarët paralajmëruan se cilësia e dobët e ajrit mund të vazhdojë për dy deri në tre javët e ardhshme.

Një AQI prej 0-50 konsiderohet i mirë, ndërsa çdo gjë midis 400 dhe 500 ndikon në shëndetin e njeriut dhe është e rrezikshme për ata me sëmundje ekzistuese.

By vull