Futbollisti argjentinas Lionel Messi ka pranuar se ka mbaruar me futbollin evropian, duke hedhur poshtë disa pretendime se ai mund të luajë për Barcelonën si huazim nga Inter Miami.

Messi konfirmoi në një intervistë për “Lequip” francez se ishte afër rikthimit te Barça në vitin 2021, por…

– Mund të isha kthyer në Barcelonë, por kjo nuk ndodhi. Kur po largohesha në vitin 2021, ndodhi papritur. Ideja ime e parë ishte gjithmonë të kthehesha në shtëpi, të luaja sërish me fanellën e Barcelonës, të përfundoja karrierën time atje. E kam ëndërruar gjithmonë. Por kjo nuk ishte e mundur. Prandaj vendosa të vij në Inter Miami – tha Messi dhe shtoi:

– Kam pasur shumë oferta. Krejt ndryshe. Nga Barça, klube të tjera evropiane, nga Arabia Saudite… Por menjëherë zgjodha Majamin dhe jemi të lumtur për këtë, sepse ndihem shumë mirë këtu. Më pëlqen çdo ditë e kaluar me familjen time. Së bashku mund të bëjmë shumë, në çdo moment mund të jem me gruan dhe fëmijët e mi që më kanë munguar më shumë. Miami është një qytet spektakolar, me një klimë të shkëlqyer.

Kur u pyet nëse futbolli evropian është një histori e mbyllur, Messi tha:

– Keshtu mendoj. Falë Zotit, pata fatin të kisha një karrierë fenomenale, fitova gjithçka që ëndërroja në Evropë, ku luajta kaq gjatë. Kam bërë një hap të ri duke ardhur në SHBA, kështu që nuk mendoj se do të kthehem kurrë për të luajtur në Evropë. Sigurisht që do të më mungojë të luaj në Champions League ose La Liga gjatë gjithë jetës sime, sepse ato janë ndeshje me një prekje të veçantë. Por këtu po kënaqem me aq sa mundem, ndaj nuk ndihem i frustruar – tha Messi dhe zbuloi se ende nuk e di se çfarë do të bëjë pas përfundimit të karrierës.

– E di që do të kthehemi të jetojmë në Barcelonë. Është shtëpia jonë, ku kemi zakonet tona, miqtë tanë. Por nuk e kam idenë se çfarë do të bëj. As që e kam menduar dhe as nuk dua. Dua të shijoj vitet që kam përpara si futbollist, duke bërë atë që kam dashur gjithmonë të bëj si djalë. Dhe kur t’i var çizmet në kunj, do të kërkoj rrugën time të re. Trajner? Nuk e besoj. Por patjetër do të ketë diçka në futboll, sepse është e gjithë jeta ime.

 

 

 

 

 

By vull