26 pranvera pa Katanën, por gjithmonë me të në zemër

Sot shënohen 26 vjet nga rënia heroike e luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Ramadani – Katana, një ndër figurat më të shquara të luftës për liri dhe pavarësi.
Agim Ramadani ishte një strateg i lartë dhe një udhëheqës i dashur për ushtarët, i njohur për rolin vendimtar në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare. Ai ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare, duke simbolizuar shembjen e ndarjes mes shqiptarëve dhe hapjen e rrugës për çlirim.
I lindur më 3 maj 1963 në Zhegër të Gjilanit, Ramadani ishte i përgatitur profesionalisht si ushtarak, por edhe shpirtërisht si artist. Ai u mor me poezi dhe pikturë, duke organizuar ekspozita dhe duke botuar krijime letrare në revistat e kohës. Pavarësisht jetës së sigurt në Zvicër, ai iu përgjigj thirrjes së Kosovës dhe iu bashkua UÇK-së në vitin 1998, duke lënë pas familjen – gruan dhe tre fëmijët e tij.
Agim Ramadani ra heroikisht në betejën e lavdishme të Koshares, në vendin e quajtur Rrasa e Zogut, por mbeti përjetësisht gjallë në kujtesën kombëtare. Ai njihet si një ndër heronjtë më të mëdhenj të historisë së re shqiptare. Në Gjilan, qytetin e tij të lindjes, para Teatrit Kombëtar është ngritur një shtatore madhështore që përmbledh elementet artistike dhe luftarake të figurës së tij.