80-vjetori i Shkollës “Liria” në Çair: Festë e dijes dhe kujtimeve

Me një program të pasur artistik, emocione të forta dhe duartrokitje të pandërprera, sot u shënua 80-vjetori i Shkollës Fillore “Liria” në Çair – një prej institucioneve arsimore më të dashura dhe më të vjetra në këtë komunë të Shkupit.
Në një atmosferë festive, të pranishëm ishin figura të njohura të arsimit dhe politikës, si dhe shumë ish-nxënës, prindër dhe mësimdhënës që kanë kontribuar ndër vite në misionin edukativo-arsimor të kësaj shkolle.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i cili është edhe ish-nxënës i kësaj shkolle, shprehu emocionet e tij të veçanta për rikthimin në vendin ku nisi rrugëtimi i tij drejt dijes.
“Përjetova një emocion të veçantë teksa u riktheva aty ku fillova rrugëtimin tim arsimor – me krenari dhe mirënjohje për gjithçka që kam marrë nga kjo vatër e dijes,” theksoi Ganiu.
Organizimi dinjitoz i kësaj ngjarjeje u drejtua nga drejtoresha e shkollës, Teuta Idrizi, e cila me përkushtim udhëheq këtë institucion që ka lënë gjurmë të thella në komunitetin e Çairit.
Ngjarjen e nderuan me praninë e tyre edhe zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi, deputetet Merita Koxhaxhiku dhe Feride Haxhiu, si dhe shumë mysafirë të tjerë.
Shkolla “Liria” mbetet simbol i qëndrueshëm i dijes, përkushtimit dhe vlerave arsimore në zemër të komunitetit shqiptar në Shkup. Me këtë përvjetor, ajo jo vetëm festoi të kaluarën, por edhe shpalosi vizionin për të ardhmen.