Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

A PO IMPONOHET PISLLËKU SI VLERË KULTURORE!?

3 min read

Midis nesh

 

A PO IMPONOHET PISLLËKU SI VLERË KULTURORE!?

 

Në hapësirat tona etnike vegjetojnë edhe “kulturologë” të atillë sa angazhimin për vlera të padiskutueshme artistike, si ushqim i përditshëm i identitetit kulturor kombëtar, e quajnë si “hyrje në kulturocid”, si diçka “jo evropiane” e “jo amerikane”, si “diskriminim” i tërthortë i komunitetit të “artistëve entuziastë”! Ky komunitet, ndonëse nuk sjell kurrfarë vlere, mjafton që po përpiqet të vetë-dëfrehet me “artistiken” e vet!

Pra, shqiptarët, në emër të lirisë krijuese, në emër të lirisë së shprehjes së mendimit qoftë në formë të shkruar, në formë arti pamor, në formë muzikore etj., në emër të lirisë absolute, si vlerë e pacenueshme e demokracisë, duhet të jenë tolerantë edhe ndaj jo kulturës, ndaj “veprave”, të cilat, ndonëse nuk kanë kurrfarë vlere, të paktën, të respektojnë dhe madhërojnë përpjekjen e diletantëve për të bërë “art”!

Pa dyshim, askush nuk e pengon këtë komunitet “të entuziastëve” (epitetin artist nuk mund ta meritojnë kurrë!) që të merren me krijimtari, ta shprehin talentin e tyre, ndonëse të kufizuar deri në shkarravinë! Po i thonë “tallava-kulturë”!

Ne, deshtëm apo jo, çdo ditë të lume po bashkëjetojmë me këtë “tallava-kulturë”, të cilën po e kultivojmë vetë, madje me shumë xhelozi, sidomos prej atyre “krijuesve entuziastë”! Kjo flet se nuk jemi “enverist”, se nuk jemi “totalitaristë”, nuk jemi “nacionalistë”! Sepse, kështu mendojnë “tallava-kulturologët”, iku “enverizmi”, tani jemi të lirë që të kultivojë secili çfarë të dojë, mjafton që mos të jetë në kundërshtim me ligjet e vendit! Po me ligjet e estetikës, po me normat e artit, po me kodet krijuese, po me gjenin etnik kulturor?!

Popujt e civilizuar, popujt me një trashëgimi të begatë kulturore e shpirtërore, me një etnologji e arkeologji që dëshmon lashtësinë e tyre, nuk mund të jenë aq noshalantë sa të lejojnë që t’ua brejë korrozioni shtyllën e identitetit kulturor! Është provuar me mijëra herë se artisti mund ta ngrejë të shëmtuarën në art, por ama, asnjëherë nuk ka ndodhur e kundërta: për art të pranohet shëmtia! Arti dhe e pavlera, qytetërimi dhe jo kultura, nuk mund të bashkëjetojnë assesi dhe këtu nuk mund të vije në shprehje as toleranca e as dhe “mirëkuptimi estetik”! Pisllëku nuk mund të pranohet për vlerë kulturore!

A mund të themi se shëndeti mund të bashkëjetojë me virusin Covid 19! Kjo epidemi është në mesin tonë, por shkenca e mjekësisë botërore është ngritur në këmbë për ta vrarë këtë virus, për ta eliminuar nga habitati ynë! A mund të kemi shëndet nëse nuk shpërlahemi dhe e trashim lëkurën me pisllëk! Ne mund të bashkëjetojmë edhe me mikrobin, edhe me virusin, por vetëm pasi të kemi marrë masa për ta përforcuar sistemin tonë imunitar!

Prandaj, duhet të kemi të qartë se, sistemi imunitar i qenies sonë kombëtare është identiteti ynë kulturor. Pa këtë identitet jemi pjesë e atij “komuniteti entuziast” që çdo shëmti e konsideron për “kryevepër”! Shoqëria me identitet të shëndoshë kulturor do të angazhohej pa kompromis që edhe komunitetet e tjera etnike me të cilët bashkëjeton të kultivojnë kulturën burimore që ua çelikosë identitetin e tyre kulturor. Të tillët kudo në botë duhet të njihen si komunitet me kulturën e vet origjinale! Për shembull, bota mbarë e ka njohur legjendën rome, Esma Rexhepova, e cila, gjithandej botës, nëpër eventet e saj, nuk ka prezantuar kulturën maqedonase, por vlerat më të larta të kulturës muzikore-etnologjike rome nga Maqedonia e Veriut! Njihet ajo në botë dhe jo tallava muzika e “botës së saj”, që gjithnjë e më shumë po na bëhet ushqim i argëtimit dhe ahegjenve tona familjare. Ka kohë që po bien kambanat për ndërgjegjësim, por çuditërisht, assesi të zgjohemi nga letargjia “kulturore” që na ka kapluar! /HEJZA/