Ajdini për Taravarin: Në Saraj ke mbetur vetëm me 30 vetë – qytetarët s’e ndjekin më

Riad Ajdini, një nga zërat e rinj politikë në komunën e Sarajit, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së fundit të Arben Taravarit në këtë komunë, duke e akuzuar për përpjekje për të ringjallur “strukturat e vjetra” politike në shërbim të pazareve personale.

Në një reagim publik, Ajdini e cilësoi rikthimin e Taravarit në Saraj si përpjekje të dëshpëruar për t’i ikur realitetit të rënies së përkrahjes që, sipas tij, është evidente. Ai përmendi faktin se ndryshe nga muaj më parë kur në Saraj ishin mbledhur mbi 1200 qytetarë për një kauzë të re, sot Taravari mezi kishte mbushur një dhomë me 30 veta – shumica të afërm të tij.

“Ish-kryetari im, që sot ëndërron të shkojë nën hijen e Ali Ahmetit, u kthye në Saraj për të gjetur ‘strukturat’. Por realiteti i tregoi se Saraji ka vendosur të ecë përpara me njerëz që nuk e shesin vullnetin e qytetarëve për poste personale,” deklaroi Ajdini.

Ai e akuzoi Taravarin për lojëra të vjetra politike dhe bashkëpunim të heshtur me BDI-në, ndërkohë që qytetarët kërkojnë qartësi, sinqeritet dhe veprim konkret.

“Saraji nuk është më për mashtrime. Populli ka folur. Tashmë po pret veprën. Tetori po vjen, bashkë me ndryshimin e madh!” – përfundoi Ajdini.

Deklarata vjen në një kohë kur tensionet brenda opozitës shqiptare janë shtuar dhe pozicionimet për zgjedhjet lokale të Tetorit po intensifikohen, me kërkesën për fytyra të reja dhe vizion të qartë politik që refuzon kompromiset me sistemin.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights