Aksion policor në Shkup: Bastisje në pesë lokacione në kuadër të rastit “Bunker” kundër grupit “Bellanoca-Baron”

Prokuroria Themelore Publike ka njoftuar për një aksion policor që po zhvillohet në qytetin e Shkupit, ku me urdhër të saj janë duke u bastisur pesë lokacione të ndryshme. Operacioni është pjesë e hetimeve për rastin e koduar “Bunker”, që lidhet me aktivitetet e dyshuara kriminale të grupit të strukturuar “Bellanoca-Baron”.
Sipas komunikatës zyrtare, bastisjet janë duke u kryer që nga orët e para të mëngjesit, nën drejtimin e prokurorit kompetent dhe me mbështetjen e njësive të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
“Aksioni është rezultat i provave të siguruara gjatë hetimeve kundër anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal ‘Bellanoca-Baron’. Prokuroria do të publikojë më shumë detaje gjatë ditës,” thuhet në njoftim.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacione për numrin e personave të përfshirë apo për ndonjë të arrestuar eventual, ndërsa hetimet po vazhdojnë në disa drejtime.