Aleanca për shqiptarët në udhëkryq: Si do të veprojnë anëtarët dhe votuesit pas bashkëpunimit të mundshëm me bdi-në?

Pas deklaratës së fundit të kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, se “nuk është tragjike nëse bashkëpunojmë me BDI-në në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale”, është hapur një debat i gjerë mbi drejtimin e ri politik që ai po merr. Pas një dekade kundërshtimesh të ashpra ndaj BDI-së, kjo deklaratë shihet si një kthesë e papritur dhe potencialisht e dëmshme për unitetin e opozitës shqiptare.
Kjo lëvizje vë në pikëpyetje edhe besnikërinë e anëtarësisë së ASH-së, e cila deri më tani ka qenë në linjë të fortë opozitare dhe pjesë e koalicionit VLEN. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj baze vjen nga ish-anëtarë të PDSH-së, të cilët historikisht nuk e kanë votuar dhe as mbështetur kurrë BDI-në. Për ta, një bashkëpunim eventual me këtë subjekt mund të përbëjë thyerje të parimeve themelore që i kanë mbajtur të angazhuar politikisht.
Ndërsa Taravari përpiqet të paraqesë këtë mundësi si pragmatizëm politik, në terren ka nisur pakënaqësia dhe distancimi i heshtur i shumë aktivistëve dhe mbështetësve të tij. Pyetja që shtrohet është: a do të vazhdojnë ata ta ndjekin një drejtim që bie ndesh me bindjet për të cilat kanë qëndruar për vite të tëra?