Aleanca për Shqiptarët: Vazhdon kapja e Universitetit të Tetovës

3 min read
Para disa ditësh ishim dëshmitarë të pritjes që ua bëri Ministri Jeton Shaqiri Kryetarit të Senatit dhe u.d. Rektorit të Universitetit të Tetovës, të dy këto të caktuar në mënyrë të paligjshme në këto pozita.
Ne informatën që plasuam para dy javëve, theksuam se ka një vit e gjysmë që Universiteti i Tetovës është pa udhëheqësi legjitime, duke thyer ligjin e arsimit të lartë si dhe statutin e UT-së. Përgjegjësit kryesor për këtë thyerje janë ish Rektori Vullnet Ameti dhe ish Kryetari i Senatit Kushtrim Ahmeti, të cilët tani vetëm se kanë ndërruar vendet. I pari ka vite me radhë që e mban peng Universitetin e Tetovës, kurse i dyti si kryetar Senati që një vit nuk ka marrë asnjë masë për këto thyerje edhe pse e ka obligim ligjor. E qartë është se përse ai ka heshtur gjatë kësaj kohe.
Në këto rrethana lindin pyetje, përse heshtën ministri i arsimit, pse nuk harxhon as edhe një fjali për paligjësitë në UT, pse nuk e angazhon inspektoratin e arsimit të lartë për t’i konstatuar këto thyerje ligji që janë evidente? Këto veprime të ministrit na çojnë në një konkluzion se ai është pjesë e këtyre paligjësive. Pyetja është a i bën kokë në vete apo nën dirigjimin e zv. Kryeministrit të parë z. Artan Grubi?
Takimi i djeshëm i ministrit të arsimit tregon që BDI është e përkushtuar vetëm në shkatërrimin e tërësishëm të këtij universiteti. Universiteti i Tetovës nuk është as i Ali Ahmetit, as i Artan Grubit, as i Vullnet Ametit por është universitet i popullit, e në veçanti studentëve.
Takimet e Shaqirit, Ahmetit dhe Grubit me udhëheqësinë antiligjore të UT-së më janë vetëm një tendencë për të amnistuar Vullnet Ametin dhe Kushtrim Ahmetin.  Pas të gjitha atyre skandaleve të publikuara për nepotizëm, krim dhe korrupsion, ministri dhe zv kryeministri duhej të merrnin masa ligjore ndëshkuese e jo të fotografohen me to.
ASH, në asnjë mënyrë nuk e mbështet dhe nuk do ta mbështesë këtë politikë të shkatërrimit të Universitetit të Tetovës dhe ardhmërinë e popullit. Aleanca për Shqiptarët nuk do të jetë vëzhguese pasive e kësaj katrahure që i ndodh universitetit. Jemi të vetëdijshëm që takimi kishte për qëllim avancimin e u.d. së detyrës rektor në thirrjen profesor ordinar. Por, kjo është e paligjshme. Ligji nuk  lejon diçka të tillë.
Për këtë tendencë për mbulimin e krimit-korrupsionit dhe nepotizmit, për synimin për të avancuar në mënyrë joligjore dhe për të mbajtur të kapur edhe më tej universitetin, do të alarmojmë edhe ambasadat e SHBA-së, BE-së dhe të gjitha ambasadat evropiane në vend.
Kërkojmë që Kryeministri Kovaçevski dhe antikorrupsioni të marrin masa urgjente ligjore. Vullnet Ameti duhet të mbajë duart larg universitetit. Dorëheqje të ministrit të arsimit dhe drejtorit të inspektoratit për arsim të lartë.
Deri më tani si Aleancë për Shqiptarët kemi treguar konstruktivitet dhe si opozitë kemi votuar për progresin evropian të vendit. Luftimi i krimit, korrupsionit dhe nepotizmit janë luftëra dhe synimi ynë i përbashkët me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ky është kushti ynë.