Ambasadori Zemaj diskuton me diplomatin amerikan për sigurinë dhe thellimin e bashkëpunimit me SHBA-në

Ambasadori i Kosovës në NATO, Astrit Zemaj, ka zhvilluar një takim pune me Shefin e Misionit të SHBA-ve në NATO, Scott M. Oudkirk, ku u diskutuan çështje të rëndësishme për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe mundësitë për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një postim në Facebook, Zemaj e vlerësoi praninë e forcave amerikane në Kosovë, që prej tre dekadash janë pjesë e KFOR-it, duke theksuar se ato janë garantues të sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Ai theksoi se SHBA janë një mik i veçantë për Kosovën, duke mbështetur lirinë, demokracinë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Takimi u përqendrua gjithashtu në shqetësimet për sigurinë në rajon dhe mënyrat për të thelluar bashkëpunimin, me fokus në siguri dhe stabilitetin afatgjatë të Kosovës dhe tërë Ballkanit Perëndimor. Zemaj theksoi rëndësinë e vazhdimit të trajektores euroatlantike të Kosovës dhe miqësisë me SHBA-në në këtë proces.