Arben, rruga që ke zgjedhur është e jotja – mos e fajëso botën!

Shkruan: Adnan Azizi

Arben, bota nuk është shtrembëruar – ti ke shtrembëruar rrugën tënde. Më saktë, je kthyer tek strategu yt i vjetër, të cilin dikur e “diagnostikoje” me epitete nga më të rëndat.

Le të jemi të qartë: nuk ishin të tjerët që kaluan nga ASH-ja te Adnan Azizi apo te Izeti. Ata qëndruan në Aleancë. Ishte pikërisht ti që u ktheve tek BDI-ja, të cilën për vite me radhë e akuzoje për çdo ngecje në proceset shqiptare. Sot, për interesa të ngushta personale, ke pranuar të bëhesh peng i asaj partie që vetë e damkose me fjalët më të rënda.

Për korrektësi publike, dua të sqaroj se asnjëherë në jetën time nuk kam takuar kryetaren e FRASH-it. Akuzat tua të pavërteta vetëm sa e demantojnë vetveten dhe e tregojnë qartë se ke humbur kontrollin dhe orientimin politik.

Sinqerisht prisja që, pas zhvillimeve të fundit, ku thuajse të gjitha strukturat e Aleancës për Shqiptarët zgjodhën të qëndrojnë në VLEN, ti të kishe kurajën për të kërkuar falje dhe të dorëhiqeshe me dinjitet. Por për fat të keq, çdo ditë po e dëshmon se më nuk je në gjendje të mendosh vetë – vepron sipas diktatit nga Zajazi.

Loja u deshifrua. Aleanca qëndroi besnike ndaj zotimeve dhe kauzës shqiptare. Ndërsa ju, të rikthyerit në orbitën e BDI-së, nuk gëzoni më as respektin e mbështetësve të vjetër dhe as të atyre që ju futën në këtë lojë për të dëmtuar VLEN-in dhe për të rikthyer BDI-në në pushtet.

VLEN do të dalë më e fortë nga kjo betejë politike. Pavarësisht tentativave të dështuar të patronit tuaj të përçarjes, që përmes satelitëve të tij, me paratë e Soravisë, të Llotarisë dhe burimeve të tjera të dyshimta, po përpiqet të deformojë vullnetin e qytetarëve.

Arben, këtë herë nuk do ta arrish as tetorin – politikisht, ke përfunduar!

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights