Artan Kastrati: Më diskriminon Ministria e Kulturës me 25 vite karrierë
4 min read
Një emër shumë i kërkuar në skenën shqiptare, krijues i shumë hiteve që nuk vdesin asnjëherë. Artan Kastrati ditëve të fundit u bë emër shumë i përfolur në media për shkak të pakënaqësive në lidhje me përfitimin mbi një projekt ku ai kishte konkurruar së bashku me Leonora Poloskën. Në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA, Kastrati tregon të gjitha në detaje
U bënë vite që krijon muzikë, një nga autorët më të njohur dhe më të kërkuar, na i përshkruaj gjithë këto vite karrierë?
Po jam aktiv si kompozitorë, orkestrues, ton mjeshtër që nga viti 1993, fillimet e mia ishin si ndihmës në studion e Ismet Shahinit e Eroll Jakupit, pastaj konkurrova me komponimin e parë timin në Nota Fest 1995 u shpërbleva me çmimin e 2 dhe dalëngadalë u angazhova në shumë projekte muzikore duke u bërë më profesionist në këtë lëmi që punoj. Kam kompozuar mbi 600 këngë për këngëtarët më të popullarizuar nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, diaspora, Bullgaria, Serbia, Turqia. Pjesëmarrës në shumë festivale të Maqedonisë, Kosovës,Shqipërisë njëashtu dhe shumë koncerte në vend dhe jashtë vendit.
Ndonëse numërohen shumë krijime, na thuaj sa hite mban mend që ke bërë?
Shpat Kasapi, Ermal Fejzullahu, Labinot Tahiri, Adem Ramadani, Meda, Berkani, Remzije Osmani, Nexhat Osmani, Teuta Selimi, Kaltrina Selimi, Nora Istrefi, Genta, Leonora Poloska, Soni, Tuna, Rovena Stefa, Adelina Tahiri, Galena, Presllava, Andrea, Emilia, Kamelia,Viki Miljkoviç, Serdar Ortaç, Elena Velevska, Suzana Gavazova, Zore Miçevska edhe shumë të tjerë.
Je një nga emrat më të kërkuar, na thuaj si arrin të menaxhosh gjithë këtë punë?
Patjetër të menaxhoj të punoj e krijoj pasi veç kam bërë 25 vite angazhim në profesionin tim dhe më është bërë rutinë.
Me kë bashkëpunon më së shumti?
Kam bashkëpunime me gjithë këngëtarët dhe nuk do veçoja asnjë, sepse të gjithë më respektojnë punën që bëj.
Na thuaj emrat e artistëve që më me dëshirë bashkëpunon?
Ah të gjithë janë të njëjtë për mua.
Ke pasur ndonjë që ke përzë nga studio, nëse po arsyet?
Jo asnjëherë, assesi duhet respektuar klientin patjetër.
Po ndonjë që ke refuzuar pasi jeni dakorduar për këngën?
Jo nuk më lejon ndërgjegjja ime të bëj këtë vepër.
Sa i kënaqur je si autor nga përkrahja institucionale?
Aspak, sepse Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë Veriore më anashkalon plot 20 vite sikurse nuk është asgjë me vlerë puna ime si kompozitor i mbi 600 këngëve.
Së fundi, nga Ministria e kulturës keni fituar një “projekt” që thuajse mund të jetë qesharak, derisa shumë të tjerë kanë përfituar më shumë edhe pse nuk e kanë merituar, na e përshkruaj gjithë ngjarjen si ndodhi?
Po vendosa më të shpreh pakënaqësinë ndaj Ministrisë së Kulturës se dy dekada ata nuk i sponsorojnë veprat e mija muzikore ose mi kanë sponsoruar me 800-1 mijë EU, derisa shumë muzicientë tjerë, dmth që nuk janë të rangut tim, pra të dobët, marrin 3 mijë deri 50 mijë euro. Kur doli rezultati para disa ditësh nga Ministria e Kulturës, “Vala e Re Kulturore 2019”, e pash listën rezultatin e muzicientëve. Unë kisha fituar në projektin së bashku me Leonora Poloska 1650 euro nga Ministria e Kulturës, ndërsa shumë të tjerë, të cilët në karrierën e tyre s’kanë realizuar as gjashtë këngë dhe ishin të sponsoruar nga ministria me 8500 eu, 7000, 5000 e ashtu deri tek unë e Leonora Poloska së bashku 1650 euro. A është kjo në rregull kjo marrëzi që veprojnë kështu në Ministrinë e Kulturës? Ku vendosin shqiptarët tanë, kur janë shumë të vetëdijshëm por prapë sponsorojnë me para publike muzicientët e dobët. Ky është krim për kulturën shqiptare në Maqedoni.
Ke reaguar publikisht, a mos ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim apo korrigjim vendimi nga ana e institucionit të kulturës?
Për momentin nuk shoh lëvizje pozitive edhe pse gjitha mediumet kryesore ne Maqedoni e kanë përcjellë këtë problem dhe shpresoj se në ministri do fillojnë të mendojnë për sponsorim të artistëve që kanë krijimtari të bollshme e kualitative pra të dëshmuar pra me para siç e meriton e jo të ia hanë hakun.