ASH mes dy opsionesh për zgjedhjet lokale – vendimi të martën

Taravari: Dy opsione për zgjedhjet lokale – vendimi merret të martën
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, deklaroi se partia e tij ka dy opsione për zgjedhjet lokale të tetorit: të dalë e bashkuar me koalicionin VLEN, ose të garojë e vetme në disa komuna. Vendimi përfundimtar pritet të merret të martën në mbledhjen e kryesisë qendrore të partisë.
“Aleanca për Shqiptarët ditën e martë ka kryesinë qendrore, aty duhet ta sjellë vendimin. Për ta sqaruar për opinionin, kemi dy opsione: një opsion është që së bashku me VLEN-in të dalim në zgjedhjet lokale, ose opsioni i dytë është që Aleanca për Shqiptarët të dalë e vetme në zgjedhje”, u shpreh Taravari.
Ai shtoi se edhe nëse ASH-ja vendos të garojë e vetme, me mbështetjen e disa partive partnere mund të sigurojë rezultate të mira në disa komuna.
“Mendojmë se edhe vetë me dalë, në disa komuna, me ndihmën e disa partive të partnerëve të koalicionit, mund të bëjmë rezultat të mirë dhe mund të shkojmë në raund të dytë, por edhe të fitojmë”, tha Taravari.
Vendimi i ASH-së mund të ndikojë drejtpërdrejt konfigurimin politik në kampin opozitar shqiptar, përballë BDI-së në zgjedhjet lokale të këtij viti.