Aubrey Herbert, britaniku që iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë

Më 3 prill 1880 lindi koloneli Aubrey Herbert, një ushtarak, diplomat dhe oficer i inteligjencës britanike, i njohur për mbështetjen e tij të madhe ndaj Shqipërisë. Ai vizitoi vendin tonë disa herë, në vitet 1907, 1911 dhe 1913, duke u bërë një zë i fuqishëm për pavarësinë shqiptare.

Për shkak të përkushtimit të tij, Herbertit iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë, por ai e refuzoi këtë mundësi. Nga viti 1911 deri në vdekjen e tij në 1923, ai shërbeu si deputet konservator në parlamentin britanik, duke lobuar për çështjen shqiptare.

Familja Herbert gjithashtu la një trashëgimi të rëndësishme në Shqipëri. Në vitet ‘20, Lady Elisabeth Carnarvon, në nder të kujtimit të Aubrey Herbertit, themeloi shkollën e Kavajës dhe ndihmoi në ndërtimin e Bibliotekës për Djelmërinë Shqiptare, e cila përmbante 5 mijë libra në gjuhë të huaja.

Koloneli Herbert vuajti nga problemet e shikimit gjatë gjithë jetës së tij dhe ishte pothuajse i verbër në moshën 40-vjeçare. Ai u nda nga jeta më 26 shtator 1923, duke lënë pas një kontribut të vyer për Shqipërinë dhe popullin e saj.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights