Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

AVOKATIA KULTURORE!

4 min read

Midis nesh

AVOKATIA KULTURORE!

 

Pse themelohen dhe pse ekzistojnë shoqatat kulturo-artistike?! Shoqëritë e civilizuara i formojnë si mbështetje apo infuzion për profesionalizimin kulturor nën përkujdesjen e institucioneve nacionale. Ato janë si pemë prej nga vilen frutat. Mbi të gjitha, ato formohen edhe për ta realizuar axhendën e begatë kulturore të përfshira nëpër strategji vjetore nacionale për sa i përket jetës së gjithmbarshme kulturor.

Po te ne, pse shërbejnë këto shoqata dhe organizata të ndryshme që merren me krijimtari artistik si dhe me kultivim të kulturës sonë të pasur tradicionale! Le ta analizojmë shkarazi situatën te Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut! Në tërësi, funksionojnë mbi 50 shoqata të ndryshme kulturo-artistike shqiptare! Fatkeqësisht, asnjëra, asnjëherë, madje kurrë nuk është marrë me politikat kulturore të subjekteve tona, në duar të të cilëve është përpjekja për zhvillim të gjithmbarshëm (pra, do të duhej të ishte edhe zhvillimi kulturor!). Aktivitet parësor i këtyre shoqatave dhe organizatave gjithsesi që është ruajtja dhe kultivimi i elementëve kulturor nacional, por që kjo të jetë brengë ekskluzivisht e tyre, është një barrë tepër e rëndë për supet e brishta të tyre!

Në Maqedoninë e Veriut, këto shoqata kulturore (kryesisht të formatit të ansambleve folklorike, pastaj nga sfera e krijimtarisë, të teatrit), ishin të vetmet që këmbëngulnin për të dëshmuar se në këtë nënqiell ka edhe një komb të tërë që ka kulturë, por që është i përjashtuar nga politikat shtetërore për identitetin kulturor. Mbase, këtë të vërtetë mund ta trajtojmë si “politikë kulturore” të shoqatave që nuk kishin kurrfarë mbështetje institucionale!

Fatkeqësisht, ky trend po vazhdon edhe sot e kësaj dite, pas tri dekadash të pluralizmit politik! Ministria e Kulturës jo se nuk është udhëhequr prej shqiptarëve, jo se është pa funksionarë shqiptarë, madje edhe trendi i shtimit të këtyre shoqatave kulturo-artistike, i subjekteve që merren me kulturë, është në rritje e sipër! Sepse, kjo është nevoja dhe mënyra për ta dëshmuar partitë tona se kanë “politikë kulturore”! Numri më i madh i aktiviteteve “kulturore” bëhen sa për të krijuar mundësinë e prezantimit të politikanëve tanë; aktivitete kulturore sa për t’u parë “facat” e politikës sonë, e cila nuk ia ka haberin se çfarë po ndodhë me kulturën tonë!

Në “shtetet unitare” ballkanike, në vende të tillë si Maqedonia e Veriut, ku funksionimi i identitetit kulturor tjetërfarësh nga ai identitet i shumicës, vlerësohet si “hendikep shoqëror”, shoqatat dhe organizatat kulturo-artistike do të duhej të ishin në rolin e një organizmi avokues që do t’i listonte të gjitha shkeljet dhe diskriminimet kulturore dhe të njëjtat do të duhej t’ua adresonte subjekteve që për drejtim të shtetit kërkojnë votën e qytetarit! Nuk ekziston asnjë asociacion i përbashkët kulturo-artistik shqiptar, i tipit të “sindikatës kulturore”, që do t’i avokonte problemet madhore si pasojë e diskriminimit nacional e shtetëror, që e shpreh hapur mohimin e identitetit kulturor shqiptar! Nuk ekziston asnjë platformë e përbashkët e shoqatave apo organizmave kulturor shqiptare që do të nxirrej në tavolinën e marrëveshjes me ata subjekte që “vdesin “ për votën shqiptare! Fatkeqësisht, “subjektet kulturore” po formohen e po shërbejnë si “petk” për ta kamufluar mungesën e pakuptimtë të kapitullit kulturor nëpër programe politike, si dhe për të shërbyer si “vitrinë kulturore” ku do të ekspozohen ca “manikinë” si kujdestarë të jetës kulturore shqiptare në vend!

Mjerimi kulturor shqiptar është sheshit fare; sheshit janë edhe programet politike pa asnjë qëndrim mbi politikat kulturore; sheshit janë edhe programet vjetore, rregulloret e ndryshme, strategjitë nacionale të Ministrisë për Kulturë, politikat “qeveritare” dhe shtetërore për kulturë, ndërsa askund nuk kemi diskutime publike paraprake, nuk kemi reagime e propozime, nuk kemi qëndrime e angazhime shqiptare si formë avokatie për të nxitur politika që do ta shprehnin hapur angazhimin për identitetin kulturor shqiptar në Maqedoninë e Veriut! Kemi intelektualë, kemi profesorë, kemi grupime shkrimtarësh, aktorësh, muzikantësh, kulturologësh e folklorsistësh, por ca prej tyre “memecë”, ca politikisht të nënshtruar, ca snobë e diletantë, ca “vitrina kulturore” për varjen e kopallave partiake! Subjektet që individualisht protestojnë për “diskriminim të programit” të tyre vjetor, diskriminohen deri në mospërfillje nga partitë që e shesin veten si “pushtet”! Dhe, kështu do të vazhdojë derisa subjektet kulturore nuk do ta ndërrojnë qasjen e tyre prej servilëve në avokatë kulturorë, të cilët do të duhet ta shpëtojnë identitetin kulturor nga politikat tendencioze dhe ndëshkuese kundër kulturës shqiptare institucionale! /HEJZA/