Barcelona vs Real Madrid – një duel, një titull, një kampion!

Barcelona dhe Real Madridi siguruan fitore të vështira dhe minimale në udhëtim këtë fundjavë me rezultat 0:1, duke qëndruar krah për krah në një garë të zjarrtë për titullin e kampionit, që me gjasë do të zgjidhet në javët e fundit të sezonit.
Fakti që të dy skuadrat do të përballen në një “El Clasico” tjetër deri në fund të sezonit vetëm sa rrit emocionet, dhe Federata Spanjolle tashmë ka përcaktuar edhe datën zyrtare të këtij supersfide.
Barcelona do të presë Real Madridin në stadiumin “Montjuic” më 11 maj në orën 16:15. Ky takim i javës së 35-të në La Liga pritet të jetë vendimtar për fatin e kampionatit dhe mund të përcaktojë kampionin e ri të Spanjës.
Derisa pritet kjo përballje epike, Barcelona do të luajë kundër Celta Vigos, Mallorcas dhe Valladolidit, ndërsa Real Madridi përballet me Athletic Bilbaon, Celtan dhe Getafen.
Ndërkohë, dy gjigantët do të përplasen edhe në finalen e Kupës së Mbretit (Copa del Rey), që do të luhet më 26 prill në Sevilla në orën 22:00.