Drejtuesit e Bayern Munichut më në fund kanë bërë një njoftim në lidhje me situatën me Nusair Mazraoui, i cili mbrojti Palestinën në rrjetet sociale dhe akuzoi Izraelin për gjenocid. 

Mediat gjermane tashmë ishin të bindura se marokeni do të suspendohej nga klubi dhe një gjë të tillë e kishin paralajmëruar shumë, megjithatë informacionet e reja thonë se lojtari ka ardhur në mirëkuptim me drejtuesit e klubit dhe mbetet në Mynih. 

“Kemi pasur një bisedë të qartë dhe të detajuar me Nusair këtë javë. Ne si klub jemi të vendosur kundër terrorit që ndodh në Izrael dhe Mazraoui kategorikisht nuk miraton asnjë formë terrorizmi apo organizata të ngjashme. Ai është i vetëdijshëm se komentet e tij kanë shkaktuar irritim te disa njerëz, por ka thënë qartë dhe pa mëdyshje se dëshiron paqe dhe zgjidhje njerëzore të kësaj situate komplekse. 

Si klubi ashtu edhe lojtari kanë një pikëpamje të qartë se trazirat në Lindjen e Mesme nuk duhet të përhapen në asnjë mënyrë në Gjermani dhe kultura politike në këtë vend është shprehimisht kundër çdo forme ksenofobie, racizmi dhe dhune. Asgjë nuk mund të justifikojë viktimat në konflikt, veçanërisht ato civile. Mazraoui mbetet një pjesë e rëndësishme e ekipit tonë dhe për momentin nuk është në rotacion për shkak të një dëmtimi që ka pësuar me kombëtaren e tij”, thuhet në deklaratën e Bayern Munichut. 

Duket se Bayern dhe Mazraoui i kanë “varrosur çetat” dhe futbollisti vazhdon me gjigantin bavarez. Skuadra e Thomas Tuchel është në formë solide, por është dy pikë prapa liderit të Bundesligës, Bayer Leverkusen.  

By vull