Begaj nga SHBA: Roli i Amerikës, kyç për paqen në Ballkan

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në Sesionin Pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që këtë vit po mbahet në Dayton të Shteteve të Bashkuara – në 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes që i dha fund luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Duke folur në panelin “Rifokusimi te paqja dhe mirëqenia në Ballkan”, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë rajonale dhe vlerësoi ndërhyrjen vendimtare të SHBA-së si faktor përcaktues për ndaljen e konflikteve në rajon.
“Marrëveshja e Dayton-it mbetet themel për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Pa udhëheqjen e SHBA-së, as kjo marrëveshje, as pavarësia e Kosovës nuk do të ishin të mundura”, tha Begaj.
Ai riafirmoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj vlerave demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të aleancës me SHBA-në dhe NATO-n. Në këtë drejtim, ai bëri thirrje për më shumë unitet mes aleatëve përballë sfidave të reja në Ballkan pas luftës në Ukrainë.
“Rajoni ynë ka nevojë për paqe të qëndrueshme dhe për mbështetje të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Presidenti Begaj.