Berisha, Basha dhe Rama në garë – kush do të fitojë zemrën e votuesit?

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit nis zyrtarisht sot, duke shënuar fillimin e një muaji të ngjeshur me takime, mitingje dhe përballje politike. Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” janë të parët që hapin fushatën me një miting në sheshin “Nënë Tereza”, ku figura qendrore pritet të jetë strategu amerikan Chris Lacivita, i cili do të udhëheqë fushatën e PD-së.
Partia Socialiste, ndryshe nga herët e tjera, e nis fushatën me takime në të 12 qarqet e vendit, duke vënë theksin te gratë si shtyllë e mbështetjes elektorale dhe e përfaqësimit politik. Hapja zyrtare e fushatës së PS do të bëhet më 12 prill në orën 12:00, duke përdorur simbolikën e 12 yjeve të Bashkimit Evropian, me sloganin: “Shqipëria 2030 në BE”.
Ndërkohë, Lulzim Basha do të nisë fushatën e tij një orë përpara socialistëve, nën logon e koalicionit euroatlantik, duke u pozicionuar si alternativë ndaj fraksionit të drejtuar nga Berisha. Në këtë garë, çdo koalicion ka nga 186 kandidatë për deputetë sipas modelit të ri: 140 nga listat e hapura dhe 46 nga listat e mbyllura.
Pavarësisht mesazheve zyrtare, përplasjet mes liderëve kanë nisur me tone të larta. Kryeministri Rama ka ironizuar PD-në për “shpresën amerikane”, ndërsa Berisha ka kundërpërgjigjur me fjalët: “Nuk jam profet, por entuziazmin e shihni vetë.” Fushata pritet të jetë ndër më të ndezurat e viteve të fundit, me theks të veçantë në programet ekonomike dhe përpjekjet për të fituar besimin e një elektorati të ndarë.