BERZH dhe BE ndajnë 377 milionë euro për dixhitalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ka përgatitur programin “Go Digital”, me vlerë 377 milionë euro, i cili është dedikuar për dixhitalizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Ballkanin Perëndimor, me qëllim nxitjen e inovacionit dhe rritjes në sektorin privat.
Programi do t’u ofrojë këto mjete ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të rajonit përmes huave, granteve dhe ndihmës teknike për investime në dixhitalizim, automatizim dhe teknologji të gjelbra.
Sipas parashikimeve, BERZH do të ndajë hua deri në 350 milionë euro për institucionet financiare partnere në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilat më pas do t’i huazojnë mjetet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Bizneset do të kenë mundësi të përfitojnë edhe nga grante stimuluese në vlerë prej 10% të shumës së huasë, të financuara nga BE-ja. Në total, BE do të sigurojë 27.6 milionë euro në grante dhe ndihmë teknike për programin përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).