Besa 1976 largohet nga futbolli profesionist, fokus vetëm te akademia e të rinjve

Klubi futbollistik Besa 1976 nga Dobërdolli ka marrë një vendim drastik pas humbjes në ndeshjen e barazhit për mbijetesë në elitën e futbollit maqedonas ndaj Bashkimit (0-2). Klubi jo vetëm që humbi statusin në Ligën e Parë (LPFM), por ka vendosur të mos garojë as në kategorinë e dytë futbollistike, LDFM.
Përmes një njoftimi zyrtar, drejtuesit e Besës kanë bërë të ditur se do të tërhiqen nga gara dhe në të ardhmen do të përqendrohen vetëm në akademinë e të rinjve.
“Sop̈ronarët e Besa 1976 kanë dhënë dorëheqje nga menaxhimi i ekipit të parë. Fokus i vetëm mbetet akademia. Pas një përkushtimi dhe sakrifice afatgjatë për këtë klub, kemi vendosur që të mos garojmë më në LPFM. Falënderim për lojtarët, trajnerët dhe të gjithë pjesëtarët e klubit. Në këto momente ndarjeje ndjejmë detyrim që të falënderojmë nga zemra çdo tifoz, futbollist dhe punëtor që ka qenë pjesë e Besës”, thuhet në komunikatë.
Efekti domino në ligat e ulëta
Tërheqja e Besës, në kombinim me përjashtimin e Gostivarit dhe Voska Sportit nga Liga e Parë, ka krijuar një boshllëk prej tre vendeve të lira në Ligën e Dytë.
Kështu, ekipet që humbën barazhet e së shtunës – Osogova, Prespa dhe Golemo Konjari – kanë siguruar status të ligës së dytë për sezonin e ardhshëm. Nëse Besa do të kishte zgjedhur të vazhdojë garimin, vetëm dy prej këtyre ekipeve do të kishin kaluar më tej, dhe vendimi për të tretën do të ishte marrë përmes shortit.