BESA NUK DO TË SHUHET! Fshati Dobërdoll thërret për bashkim dhe mbështetje të klubit të zemrës

Pas dorëheqjes së sponsorit kryesor të klubit të njohur Besa 1976, fshati Dobërdoll i jep zemër klubit dhe nis një fushatë të fuqishme për ta mbajtur gjallë ekipin që për vite ka qenë krenaria e tyre. Falënderime të mëdha familjes Tahiri për përkushtimin dhe mbështetjen deri më tani, por Besa është shumë më tepër se një klub futbolli – ajo është zemra dhe historia e komunitetit.
Në një thirrje të hapur, fshati kërkon rikthimin e familjes Tahiri, ndërsa nëse kjo nuk është e mundur, Besa do të vazhdojë garimin në Ligën e Dytë me mbështetjen e plotë të rinisë, mërgatës dhe gjithë banorëve të Dobërdollit. Janë nisur përgatitjet për organizimin e fondeve dhe ndërtimin e një strukture të re për të mbajtur klubin gjallë.
Në ditët në vijim pritet të mbahet një mbledhje e madhe ku do të ftohen të gjithë që ndjejnë Besën pjesë të vetes, për të diskutuar për të ardhmen dhe sponsorët e rinj që kanë shprehur interes. Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në Dobërdoll.
“Besa nuk do të shuhet!”, thonë të rinjtë dhe dashamirët e klubit, duke treguar se përtej çdo vështirësie, bashkimi i fshatit është forca më e madhe për të mbajtur gjallë këtë krenari sportive.