Beteja e madhe për Studeniçanin: Azem Sadiku, Afet Jashari, Mesut Jakupi, Dr. Rexhep Memeti dhe Ejup Abazi në garë për Kryetar Komune

Në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Maqedoninë e Veriut, komuna e Studeniçanit po bëhet qendër e vëmendjes për shkak të kandidaturave të mundshme që pritet të garojnë për postin e kryetarit të komunës. Megjithatë, emrat e përfolur deri tani nuk janë ende zyrtarë dhe mbetet për t’u parë se kush do të formalizojë kandidaturën e tij.
Një nga emrat më të përfolur është Azem Sadiku, i cili pritet të kandidojë si kandidat i pavarur. Sadiku ka shërbyer dy herë si kryetar komune nën siglën e Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) dhe gëzon një mbështetje të konsiderueshme në rajon.
Nga koalicioni VLEN, një figurë e njohur që përmendet si kandidat potencial është Afet Jashari. Jashari është një personalitet i shquar në fushën e kulturës dhe aktualisht mban një rol të rëndësishëm në Ministrinë e Kulturës. Kontributi i tij në promovimin e kulturës në rajonin e Karshiakës është i njohur gjerësisht.
Përveç Jasharit, nga radhët e Lëvizjes Demokratike (LD) brenda koalicionit VLEN, përmenden edhe emrat e Mesut Jakupit dhe Dr. Rexhep Memetit si kandidatë të mundshëm.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) gjithashtu po shqyrton kandidaturën e Ejup Abazit për këtë post, duke synuar të forcojë pozitat e saj në komunën e Studeniçanit.