Borel dhe Varhei në Tiranë dhe Shkup
1 min read
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borel, do të udhëtojë në Shqipëri në datat 15-16 mars dhe në Maqedoninë e Veriut më 16-17 mars, njoftoi Bashkimi Evropian (BE).
Në njoftim thuhet se këto vizita do të jenë një mundësi për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe midis BE-së dhe Shqipërisë dhe BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, në përputhje me Marrëveshjet e tyre të Stabilizim Asociimit dhe për të shqyrtuar zhvillimet më të fundit në të dy vendet dhe në Ballkanin Perëndimor. Kjo është hera e parë që këshillat mbahen në Tiranë dhe Shkup.
Në Shqipëri, Borel do të takohet me kryeministrin shqiptar Edi Rama përpara se të kryesojë Këshillin e 12-të të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri që do të mbahet në Tiranë më 16 mars.
Në Maqedoni, Borel do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski më 16 mars dhe më pas do të udhëheqë delegacionin e BE-së në takimin e 16-të të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, i cili do të mbahet të premten, më 17 mars.