Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Gjermania ngre alarm: Ballkani drejt një lufte të re

3 min read

Gjermania ka lëshuar alarmin se ka një përshkallëzim të frikshëm të tensioneve në Bosnje-Hercegovinë që mund të çojnë në një luftë të re ballkanike. Berlini zyrtar shprehet se po punon që në rastin më të keq ta izolojë këtë konflikt që të mos përhapet në vendet e tjera të rajonit.

Qarqe qeveritare nga Berlini i thanë DW se po punojnë me fuqitë e tjera të Perëndimit të gjejnë një zgjidhje për të penguar përhapjen e konfliktit në rajon.

“Jemi të alarmuar pas raportit të paraqitur nga Përfaqësuesi i Lartë (HR) Christian Schmidt. Qeveria Federale ndan shqetësimin e madh të Përfaqësuesit të Lartë Schmidt për situatën e brendshme politike në Bosnjë-Hercegovinë dhe sidomos për një sërë deklaratash të presidentit serb, Milorad Dodik. Thirrjet për shkëputje dhe për hapa për dobësimin e shtetit në tërësi janë të papërgjegjshme dhe krejtësisht të papranueshme”, thuhet ndër të tjera në një prononcim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për DW.

Ministria e Jashtme gjermane gjykon më tej se Bosnja-Hercegovina po ecën prapa dhe se ekziston rreziku i një krize të përhershme me pasoja negative për qytetarët e të gjithë vendit.

“E gjithë kjo rrezikon stabilitetin jo vetëm të Bosnjë-Hercegovinës, por të të gjithë rajonit. Ne jemi duke u konsultuar intensivisht me partnerët tanë, veçanërisht në BE, në Kuint dhe në Ballkanin Perëndimor dhe në kuadër të Këshillit për Zbatimin e Paqes, për hapat që mund të ndërmarrim për të shmangur një zhvillimi të tillë”, përfundon deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane.

Kuinti përbëhet nga përfaqësues të pesë shteteve perëndimore: Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Sarajevë, Christian Schmidt, kishte paralajmëruar më parë në një raport për Këshillin e Sigurimit të OKB-së për një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës në Bosnjë-Hercegovinë.

“Bosnja-Hercegovina po përballet me kërcënimin e saj më serioz ekzistencial të periudhës së pasluftës”, shkruante diplomati gjerman dhe ish-ministri i Bujqësisë në raportin e tij më të fundit drejtuar Kombeve të Bashkuara.

Raporti fajëson Milorad Dodik, përfaqësuesin e serbëve në trion presidenciale të Bosnjë-Hercegovinës, për përshkallëzimin e situatës. “Dodik po përgatit krijimin e ushtrisë së vet për Republikën Serbe, çfarë do të çonte në prishjen e ushtrisë së të gjithë vendit”, thuhej në raport.

Përveç kësaj, politikani serb i Bosnjës tashmë po bllokon institucionet shtetërore si presidenca dhe parlamenti përmes bojkotit të tij. Nëse bashkësia ndërkombëtare vazhdon ta pranojë këtë politikë, Republika Serbe do të “largohet nga rendi kushtetues i Bosnjës” dhe do të minojë Marrëveshjen e Paqes të Daytonit”, shkruante Schmidt në raport.

Në vitin 1995, Marrëveshja e Daytonit i dha fund luftës së përgjakshme trevjeçare në Bosnje-Hercegovinë. Ndër të tjera, marrëveshja parashikonte krijimin e dy pjesëve gjysmë autonome të vendit, Federatës Boshnjake-Kroate dhe Republikës Serbe. Përveç kësaj, ajo krijoi zyrën e Përfaqësuesit të Lartë, e cila është paraparë të monitorojë respektimin e Marrëveshjes së Paqes. Politikani gjerman kristiansocial, Christian Schmidt, e mori këtë post në gusht të vitit 2021.