Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Njeriu që ‘çmend’ rrjetin me teoritë Rama-Veliaj: Soros bën një paralajmërim

2 min read
Loading...

Nuk e kemi vetëm ne shqiptarët këtë problem. Thuajse kudo në botë, sa herë përmendet emri i George Soros, në mendje vijnë vetëm teori konspirative.

Miliarderi me origjinë hungareze ka publikuar një shkrim së fundmi që po shpërndahet nëpër rrjetet sociale me shpejtësi. Soros shkruan për MarketWatch se Bashkimi Europian po shkon drejt shpërbërjes. “BE po ecën jerm drejt harresës,” shkruan ai.

Miliarderi thotë se njerëzit në Europë duhet të zgjohen para se të jetë vonë. Teksa u bën thirrje votuesve pro-europianë të mbrojnë unionin, Soros shkruan: “Nëse nuk e bëjnë, Bashkimi Europian do ketë fatin e Bashkimit Sovjetik”.

Soros është një sponsor kryesor i Partisë Demokratike në SHBA dhe njihet si kampion i kauzave liberale.

Daily Mail raporton se ai ka shpenzuar mijëra sterlina në një fushatë kundër Brexit në Britani.

Edhe presidenti Donald Trump u ka mëshuar shpesh teorive konspirative për Soros. Në një rast ai tha se ka dyshime se Soros ka sponsorizuar karvanin e emigrantëve nga Amerika Qendrore, që tentoi të hynte në SHBA.

Në tetor të vitit të shkuar, një person i armatosur hyri në një sinagogë në SHBA duke vrarë 11 persona. Hetimet zbuluan se ai ishte i fiksuar pas teorive mbi Sorosin.

Po atë muaj, Soros mori një letër-bombë, të dërguar nga një mbështetës i Trump. I biri i Soros, Alex, tha se Trump po nxit dhunë.

“Më kanë portretizuar si djallin. Më lëndon shumë fakti që ekstremistët janë të motivuar nga teoritë konspirative për të më vrarë”.

“Më fajësojnë për gjithçka, më quajnë edhe anti-Krisht. Do doja të mos kisha kaq shumë armiq, por e marr si tregues të faktit që i kam bërë gjërat mirë”, tha ai për gazetën Financial Times. Kjo e fundit e shpalli njeriun e vitit 2018.

Edhe në Shqipëri, Soros është sinonim i teorive konspirative. Një gazetare e Forbes që vizitoi Tiranën para disa kohësh, zbuloi se shumë shqiptarë mendojnë se vendin e drejton Soros.

Së fundmi ka pasur spekulime në media se Soros ka vizituar personalisht Tiranën.

Arsyeja? Spekulimet thonë se ai po mban krah në betejën mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Sipas teorive, ai ka zgjedhur këtë të fundit.