Në Wall Street të martën, çmimet e aksioneve u rritën ndjeshëm, duke thyer zinxhirin negativ shumëditor pasi investitorët u inkurajuan nga rënia e çmimit të naftës nën 100 dollarë për fuçi, duke reduktuar frikën për rritje të mëtejshme të inflacionit.
Mesatarja industriale Dow Jones u rrit me 599 pikë, ose 1,82 për qind, në 33,544 pikë, S&P 500 u rrit 2,14 për qind në 4,262 pikë dhe Nasdaq u rrit 2,92 për qind në 12,948 pikë.
Investitorët u inkurajuan nga rënia e çmimit të naftës nën 100 dollarë për fuçi, për herë të parë që nga pushtimi rus i Ukrainës në fund të shkurtit. Një javë më parë, çmimi për fuçi arriti në 139 dollarë, niveli më i lartë që nga viti 2008.
Në tregun e Londrës çmimi i fuçisë ka rënë dje me 6.5 për qind, në 99.90 dollarë, ndërsa në tregun amerikan fuçia ka rënë me 6.4 për qind në 96.44 dollarë.
Në bursat evropiane, çmimet e aksioneve ranë ditën e djeshme. Indeksi FTSE i Londrës ra me 0,25 për qind në 7,175 pikë, ndërsa DAX i Frankfurtit ra 0,09 për qind në 13,917 pikë dhe CAC i Parisit 0,23 për qind në 6,355 pikë.