Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

BOTUES SERIOZ ME BOTIME JOSERIOZE

2 min read

Midis nesh

 

BOTUES SERIOZ ME BOTIME JOSERIOZE

 

Nëse herë pas herë konstatojmë se ekziston edhe mafia letrare, atëherë gjithsesi se nuk kemi thënë asgjë të re. Në rrugëtimin shumë të rëndë dhe me shumë të panjohura të letërsisë sonë, çuditërisht krah më krah u hapen portat edhe depërtimit të vlerave të dyshimta.

Nuk jemi shumë që mos të njihemi mes veti, sidomos ata të komunitetit letrar, aq më tepër tani, në epokën e rrjeteve sociale, të cilat krijojnë mundësi të barabarta për të gjithë: edhe për “shkrimtarët” e shumtë, edhe për shkrimtarët e paktë.

Është tjetër gjë fakti që ne mashtrojmë vetveten, edhe atë pa fijen e turpit.

Muaji i nëntorit është edhe muaji i librit, muaji i Panairit më të madh të librit që për çdo vit mbahet në Tiranë, një ngjarje kjo, për shumë çka, e jashtëzakonshme.

Dhe tek i shohim njoftimet e shumta, sa individuale, sa të botuesve, për atë se çfarë do të ofrohet në Panairin e Librit, Tirana 2021 (që hapet sot, 17 nëntor dhe zgjat deri të dielën, 21 nëntor), bien në sy edhe librat e disa “shkrimtarëve”, të cilët akoma nuk e kanë të përfunduar ciklin e pjekurisë (në të shumtën e rasteve nuk përfundon asnjëherë).

Këtë shërbim (gjithsesi jo gratis), çuditërisht, këtyre “shkrimtarëve” ua bëjnë disa botues serioz, pa u hamendësuar fare për imazhin e shtëpisë botuese, përkatësisht pa u hamendësuar se botimi i librit, miqve të këtyre “shkrimtarë”, do t’u duket si një lloj barsoletë.

Pra, botimi i librit jo gjithmonë është i dobishëm, përkundrazi, mund të jetë edhe i dëmshëm, sepse ndonjëherë bëhet edhe tallës me fatin e individit.

Janë me qindra e qindra autorë, të cilët kanë botuar nga një libër dhe sot nuk i përmend askush. Mbase shumica prej tyre e kanë kuptuar të vërtetën e fatit të tyre dhe nuk kanë vazhduar më tej, ndonëse leku asnjëherë nuk ka qenë problem.

Prandaj, botuesit, sidomos ata që konsiderohen serioz (serioziteti sikur ka humbur kuptimin), duhet të jenë të vëmendshëm çfarë botojnë dhe mos ta mashtrojnë as veten, as autorin, por as edhe opinionin se nuk bien në sy vlerat e dyshimta, sepse ndonjëherë bëhen edhe qesharak.

Mos të futemi vullnetarisht në qarkun e mafies letrare…/HEJZA/