Broja pa shkëlqim: Chelsea s’e do, Everton s’e mban

Armando Broja po përballet me një tjetër pikë kthese në karrierën e tij, teksa duket se Everton nuk ka ndërmend të aktivizojë opsionin e blerjes përfundimtare të kartonit të tij. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare u rikthye si titullar në ndeshjen ndaj Nottingham Forest, por u zëvendësua përpara se skuadra të gjente golin e fitores në minutat shtesë.
Në 64 minuta në fushë, Broja nuk pati një rast të pastër për gol, edhe pse kontribuoi në disa aksione sulmuese. Megjithatë, mungesa e efikasitetit dhe forma ende larg pritshmërive kanë bërë që drejtuesit e Evertonit të mos jenë të bindur për një investim prej 30 milionë paundësh.
Broja ka regjistruar deri tani vetëm dy ndeshje si titullar dhe gjashtë paraqitje nga stoli me fanellën e Evertonit, pa arritur të shënojë asnjë gol. Kjo ka nxitur shqetësime lidhur me gjendjen e tij fizike dhe ndikimin që mund të ketë në një skuadër që kërkon rindërtim total në verë.
Edhe një rikthim te Chelsea nuk duket zgjidhja ideale për 22-vjeçarin, pasi klubi londinez nuk e konsideron si pjesë të planeve afatgjata.