Bruksel, ministrat evropianë: Thirrjet e Putinit për paqe janë premtime boshe

Ministrat e Jashtëm të vendeve evropiane kanë hedhur poshtë përpjekjet e fundit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të dhënë përshtypjen e një iniciative paqësore në luftën kundër Ukrainës, duke theksuar se nuk shohin asnjë sinjal real për ndaljen e agresionit.
Në një deklaratë nga selia e NATO-s në Bruksel, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se Putini nuk ka treguar asnjë vullnet për të negociuar një armëpushim apo për të nisur bisedime të mirëfillta paqeje.
Edhe homologu i tij britanik, David Lammy, theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të përqendrohet në vendosjen e Ukrainës në një pozicion sa më të fortë, si ushtarakisht, ashtu edhe ekonomikisht e humanitarisht.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, i cilësoi thirrjet e fundit të Moskës për negociata si “premtime boshe”, duke nënvizuar se Ukraina ka pranuar një armëpushim të menjëhershëm dhe pa parakushte – por është Rusia ajo që po shmang marrëveshjen.
Moska ka refuzuar edhe një propozim të fundit të SHBA-së për një armëpushim 30-ditor, ndërsa një zyrtar i NATO-s tha se nuk ka asnjë shenjë që Rusia ka ndryshuar qëllimet strategjike, duke vazhduar përshkallëzimin e konfliktit në terren.