Bruksel, PE – miratohet draft-rezoluta për Kosovën, kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së

Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi draft-rezolutën për Kosovën, në të cilën theksohetmbështetja për rrugën evropiane të vendit dhe kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE-së ndaj saj. Dokumenti është hartuar nga raportuesi për Kosovën, Riho Terras, i cili theksoi se “vendi i Kosovës është në BE”.
Në rezolutë përkrahet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe inkurajohen shtetet anëtare që nuk e kanë njohur ende Kosovën që ta bëjnë këtë pa vonesa. Mbështetje jepet gjithashtu për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për planin për t’iu bashkuar programit Partneriteti për Paqe të NATO-s.
Dokumenti njeh progresin e Kosovës në drejtësi, siguri, ekonomi dhe luftën kundër krimit të organizuar, por shpreh shqetësime për dobësitë sistematike në sistemin e drejtësisë dhe mungesën e sundimit të plotë të ligjit. Rezoluta ngre alarmin për sigurinë në veri të Kosovës dhe kërkon ndëshkimin e autorëve të sulmeve në Banjskë dhe Ibër Lepenc, duke kritikuar Serbinë për mbrojtjen e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Drafti i miratuar pritet të kalojë në seancë plenare gjatë verës.