Brukseli mpreh mekanizmin e pezullimit të vizave: Ballkani Perëndimor nën rrezik

Bashkimi Evropian po përgatitet të ashpërsojë mekanizmin e pezullimit të vizave, duke lehtësuar mënyrën me të cilën mund të pezullojë udhëtimin pa viza për qytetarët e 61 vendeve – përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor. Sipas ligjit të ri që pritet të hyjë në fuqi në fillim të vjeshtës, BE-ja do të ketë më shumë baza për të ndërmarrë këtë hap, përfshirë shqetësimet për migracionin, kërcënimet hibride, skemat e shtetësisë për investitorë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

Ndryshimet e propozuara vijnë në një kohë kur BE-ja po përballet me rritje të flukseve migratore dhe dëshirë për të përdorur politikën e vizave si mjet presioni ndaj vendeve të treta. Një rast i tillë është Serbia, e cila më parë lejoi udhëtim pa viza për qytetarë nga disa vende afrikane dhe aziatike, çka u pa si një rrugë e tërthortë drejt BE-së. Në të ardhmen, raste të ngjashme mund të ndëshkohen më shpejt dhe më lehtë.

Mekanizmi i ri parashikon gjithashtu pezullimin e vizave për vendet që akuzohen për kërcënime hibride – siç ndodhi me Rusinë dhe Bjellorusinë – apo që përdorin skema të dyshimta të “pasaportave të arta”. Por ndoshta më i ndjeshmi është kriteri i demokracisë: shkeljet e të drejtave të njeriut, mosrespektimi i gjykatave ndërkombëtare apo përkeqësimi i standardeve demokratike mund të jenë arsye të mjaftueshme për pezullim.

Përkundër këtyre rregullave më të ashpra, vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën e fundit për çdo pezullim, përmes një shumice të kualifikuar. Edhe pse zyrtarët theksojnë se sanksionet synojnë qeveritë, jo popullin, rreziku që një vend i tërë të humbasë liberalizimin e vizave tashmë është më real se kurrë.

E transmeton: Radio Evropa e Lirë

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights