Çair, përurohen tri klasa moderne në SHFK “Jashar Bej Shkupi”

Me rastin e përurimit të projektit për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Shkollën Fillore Komunale “Jashar Bej Shkupi”, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, shprehu mirënjohjen për investimin që solli tri klasa moderne dhe tërësisht të pajisura, në funksion të përmirësimit të kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe kryetari i Këshillit të Komunës, Jetmir Asani, përgjegjësi i Departamentit të Arsimit, Ferdi Baftija, ambasadori i Republikës së Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, si dhe drejtori i shkollës, Rahim Maksuti.
Kryetari Ganiu theksoi se ky projekt, i realizuar me mbështetjen e agjencisë turke për bashkëpunim TİKA, është dëshmi e marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunimit të frytshëm ndërmjet dy vendeve, si dhe e përkushtimit të Komunës së Çairit për të ofruar kushte moderne mësimi për gjeneratat e reja.