Përmes programit shtetëror “Kosova, shtet i xhudos” përveç që po sigurojmë ndërlidhjen e xhudos me edukim dhe me shëndetin e të rinjve, tashmë po shohim edhe rezultatet e para të veprimit ndërinstitucional me sigurinë dhe mbrojtjen.
Ka përfunduar me sukses trajnimi i grupit të parë të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në xhudo, vetëmbrojtje dhe luftë të afërt, me udhëheqjen e kryetrajnerit Driton Kuka dhe xhudistëve elitarë nga Kosova, të cilët janë zyrtarisht pjesë e FSK-së.
Ceremonia e certifikimit u mbajt sot në Qendrën Nacionale të Xhudos, në Pejë. Kjo ngjarje shënoi një moment të jashtëzakonshëm të vizionit të përbashkët për rritjen e shtetit tonë.
Pjesëmarrës në ceremoni ishin kryeministri Albin Kurti, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi, zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, zëvendësministri i MASHTI-it Taulant Kelmendi, deputeti Gramos Agusholli, presidenti i Federatës së Xhudos, Agron Kuka, trajneri, Driton Kuka, të shoqëruar nga xhudistët elitarë, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Akil Gjakova e të tjerë.