CILI ËSHTË HALLI I TEATROVE SHQIPTARE!?

2 min read

Theater masks, drama and comedy with a red curtain as backdrop / 3D Rendering, Mixed media.

Midis nesh

 

CILI ËSHTË HALLI I TEATROVE SHQIPTARE!?

 

Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri Shqiptar i Shkupit, Teatri Kombëtar i Shqipërisë dhe Teatri Kombëtar Eksperimental, “Kujtim Spahivogli”, do të organizojnë Festivalin e Teatrit Shqiptar – MOISIU. Është paralajmëruar se ky Festival do të jetë i përvitshëm dhe do të organizohet me rotacion: Tiranë, Shkup, Prishtinë.

Që nga dje (16 nëntor) e deri më 27 nëntor në Shkup do të prezantohen 12 trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës. Një ngjarje me një simbolikë të bashkimit shpirtëror të shqiptarëve në lëmin e teatrove. Por, jo i plotë duket mozaiku i quajtur teatri shqiptar. Pra, i mungon një copë relativisht e rëndësishme për të qenë vërtet në frymën e indit kombëtar.

Fatkeqësisht, në këtë Festival mungojnë autorët shqiptarë, përkatësisht vetëm dy shfaqje janë (rastësisht apo e planifikuar) të një autori shqiptar. Dhjetë të tjerat janë të autorëve të huaj. Ndaj, shtrohet pyetja: po cili është halli i teatrove shqiptare? A mos vallë me këmbëngulje duan të dëshmojnë se nuk ka autorë shqiptarë ose autorët shqiptarë nuk dinë të shkruajnë drama?

Vërtet çoroditëse janë politikat e teatrove tona që mbajnë qëndrim refuzues ndaj autorëve shqiptarë. Pse kjo dashuri e veçantë për autorë të huaj dhe çfarë bëjnë (nëse ekzistojnë) këshillat artistike? Ose, pse regjisorët shqiptarë më me ëndje përcaktohen për autorë të huaj dhe jo edhe për autorë shqiptarë!

Për këta të fundit, pra për regjisorët, disa thonë se lehtësi të madhe për realizimin e shfaqjeve u krijojnë pikërisht autorët e huaj, sepse futen në internet (youtube) dhe i shohin realizimet e veprave të njëjta në skenat botërore që i zgjedhin ata dhe, me disa modifikime, të njëjtat i vënë në skenë. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e teatrove “kursejnë” mjete (?!), sepse u shmangen honorarëve që do t’u takonin autorëve shqiptarë.

Kështu, siç veprojnë teatrot shqiptare, nuk veprojnë, bie fjala, teatrot maqedonase, serbe, greke e kështu me radhë, të cilat prioritet u japin vetëm autorëve vendas (maqedonas, serbë e grekë). Fatkeqësisht, edhe ky Festival shqiptar do të kalojë me autorë jo shqiptarë. Dhe ky është një turp i madh, të cilin këto teatro e kapërdijnë fare lehtë dhe pa u skuqur fare. Turpi, dhe kjo duhet të jetë qartë, i përfshin të gjithë ata pa të cilët nuk realizohet asnjë shfaqje, siç janë, në rend të parë, aktorët, të cilët, çuditërisht nuk e ngrënë zërin për asgjë, duke u bërë pionë të dëgjueshëm…

Në skenat shqiptare mungon shpirti i autorit shqiptar, fatkeqësisht…/ HEJZA/