Conte në udhëkryq: Napoli apo rikthimi te Juventusi?

E ardhmja e Antonio Contes është sërish në pikëpyetje, vetëm pak ditë pas suksesit historik me Napolin, që u shpall kampion i Italisë në një konkurrencë të jashtëzakonshme – dhe këtë arritje e realizoi pa yllin kryesor Khvicha Kvaratskhelia, i cili u largua në janar.

Sipas mediave italiane, trajneri karizmatik është në udhëkryq: ta vazhdojë aventurën në jug të Italisë apo të rikthehet atje ku filloi rrugëtimi i tij triumfues – te Juventusi.

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ndodhet para një sfide të madhe, thuajse të pamundur: ta bindë Conten të qëndrojë edhe për sezonin tjetër, në një projekt që duket gjithnjë e më i paqartë dhe pa përforcime serioze në horizont.

Nga ana tjetër, Juventusi po pret. Pas pesë sezonesh pa titull, “Zonja e Vjetër” është e gatshme ta mirëpresë sërish strategun që nisi epokën e dominimit me tri tituj radhazi (2011–2014). Conte ka ende respekt të jashtëzakonshëm në Torino dhe Juventusi i ofron pikërisht atë që i mungoi në Napoli: mbështetje të plotë dhe ambicie të qarta.

Në këto ditë pas festës së titullit, De Laurentiis dhe Conte janë izoluar në ishullin Ischia, larg zhurmës së Napolit, ku pritet të merret vendimi final për të ardhmen e trajnerit.

Një gjë është e sigurt – nëse Conte zgjedh Juventusin, Napoli do të humbë më shumë sesa vetëm një trajner.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights