Debat i ashpër në Kuvend: Bexheti sfidon Mickoskin për deklaratat mbi përgjegjësinë

Në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, është riaktualizuar debati mbi deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski pas tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 59 persona. Mickoski kishte deklaruar se “do t’i tërheqë për veshë” përgjegjësit për ngjarjen, një deklaratë që ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe në radhët e opozitës.
Deputeti Blerim Bexheti, nga foltorja e Kuvendit, e sfidoi ashpër kryeministrin, duke e pyetur nëse ai e konsideron veten si një prokuror dhe në çfarë baze ligjore pretendon të marrë masa të tilla. “Dikush tjetër kishte thënë se për veshë do t’i tërheqim dhe… Për veshë? Atëherë ju jeni prokurori. Aha, a ju në bazë të cilave kompetenca do t’i tërhiqni për veshë! Cilat? Ligji ua jep ose… Cili ligj? Ligji juaj! AAA… Atëherë vlen ligji juaj në këtë shtet, jo ligjet dhe Kushtetuta”, deklaroi Bexheti.
Përplasja verbale mes dy politikanëve e tensionoi atmosferën në Kuvend, ndërsa deputetët e opozitës akuzuan qeverinë për arrogancë dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Ndërkohë, Mickoski nuk dha ndonjë sqarim të mëtejshëm mbi deklaratat e tij, duke e lënë debatin të hapur për reagime të mëtejshme.