Deklaratë e fortë nga Azir Aliu: Nuk ka tërheqje nga beteja për ndryshim

Azir Aliu, ish-funksionar dhe figurë e dalluar brenda Aleancës për Shqiptarët, ka deklaruar publikisht se nuk e mbështet më kryetarin e partisë, Arben Taravari, pas vendimit të këtij të fundit për të bashkëpunuar me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Përkundrazi, Aliu ka vendosur të qëndrojë në krahun opozitar të VLEN, përkrah Arben Fetahut.

Përmes një deklarate publike në rrjetet sociale, Aliu falënderoi të gjithë ata që i janë drejtuar me përkrahje dhe besim, ndërsa theksoi se vendimi i tij është i motivuar nga parimet dhe jo nga kalkulimet politike.

“Unë kurrë nuk do të flas keq për asnjë bashkëpartiak timin. Politika është një gjë, ndërsa marrëdhëniet njerëzore, respekti dhe betejat e përbashkëta janë diçka shumë më e thellë. Ato nuk shlyhen brenda natës,” shkroi Aliu.

Ai e cilësoi VLEN-in si simbol të ndryshimit, duke theksuar se hapi i parë u bë me dërgimin e BDI-së në opozitë, ndërsa tani është momenti për hapin e dytë: çmontimin e sistemit të vjetër të korrupsionit dhe ndërtimin e një sistemi të ri meritokratik.

“Kjo është beteja në të cilën besoj. Në të kam hyrë pa kalkulime dhe prej saj nuk ka tërheqje. Ju ftoj krah për krah, hap pas hapi ta vazhdojmë këtë betejë për ne, për të ardhmen, për të gjithë. Sepse VLEN!” përfundon deklarata e tij.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights