Home Kulturë DISKRIMINIMI AKADEMIK SHQIPTAR MBI SHQIPTARËT

DISKRIMINIMI AKADEMIK SHQIPTAR MBI SHQIPTARËT

0

Në fokus

 

DISKRIMINIMI AKADEMIK SHQIPTAR MBI SHQIPTARËT

 

Dy Akademitë (ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës) paskan vendosur që në gjysmën e parë të vitit 2023 të startojnë me një prej projekteve shumë të vonuar: “Enciklopedia shqiptare” dhe, rrugës, do ta hartojnë edhe fjalorin më të ri të gjuhës shqipe!

Hartimi i veprës më të madhe të shqiptareve, sipas prononcimeve të akademikëve bartës të këtij projekti, do të marrë të paktën 5 vite kohë dhe me buxhet prej 3 milionë euro. Në përfundim të këtij projekti madhor, do të kemi 10 vëllime voluminoze me të dhëna dhe studime për shqiptarët dhe shqiptarinë! Madje, ka nga akademikët shqiptarë, të cilët që tani e dinë se vëllimet do të kenë mesatarisht nga 400 faqe! Natyrisht, deklarata këto joakademike!

Në hartimin e Enciklopedisë shqiptare do të përfshihen 10 akademikë, pesë nga Shqipëria, pesë nga Kosova dhe 1 profesoreshë nga Maqedonia e Veriut, të cilët paskan marrë instruksione politike që mos ta politizojnë projektin dhe të mos përfshihen në politikë! A do të thotë kjo se “akademikja” shqiptare e Maqedonisë nuk ka nevojë të angazhohet fort, por vetëm t’i bartë “faktet” për shqiptarët nga Enciklopedia e Akademisë maqedonase e vitit 2009! Nëse jo, atëherë faktet që do të sillen, do të jenë diametralisht të kundërt dhe, së kendejmi, do të ndërhyje politika nacionaliste maqedonase! E çfarë të bëjnë pastaj shqiptarët? Apo, sa më pak zëra në Enciklopedinë shqiptare rreth shqiptarëve të Maqedonisë, aq me pak probleme! Sepse, Enciklopedia shqiptare do të dokumentojë origjinën e shqiptarëve, historinë, drejtshkrimin dhe arkeologjinë. Së këndejmi, akademikët bëjnë mirë që të përgatiten shkencërisht e të jenë të gatshëm t’ua thyejnë hundët një herë në jetë akademikëve maqedonas, të cilët tashmë i kanë ngritur në mite faktet e manipuluara mbi shqiptarët në përgjithësi!

Si është e mundur që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, me mijëra probleme politike, akademike, kulturore, të diskriminuar dhe të tallur si mos më keq, të përfaqësohen vetëm nga një profesoreshe fort e respektuar? Po ata të Luginës? Po të Malit të Zi?

Mbase bartësit e projektit kombëtar kanë paraparë që vise shqiptare të mbulohen me redaksi e me punëtorë shkencore! Çuditërisht, edhe në këtë “përfshirje” ka një diskriminim të turpshëm! Qenkan paraparë të themelohen 30 redaksi në Shqipëri dhe 30 në Kosovë! Në Maqedoninë e Veriut me gjasë nuk paska kurrfarë nevoje për redaksi, madje as në viset e tjera! Apo edhe këtu në terren do të jenë “hulumtuesit” që do paguhen nga 20 euro, aq sa është mëditja, edhe atë nga buxheti i krijuar prej dy qeverive shqiptare! Qeveritë e tjera ku jetojnë shqiptarët, nuk kanë participuar me asnjë lekë për buxhetin e Enciklopedisë shqiptare! Ky nuk është problem i shqiptarëve, por i akademikëve burokratë, i qeverive të papërgjegjshme dhe i subjekteve politike përfaqësues shqiptare të viseve etnike!

Në shikim të pare, gjithë ky projekt kombëtar krijon përshtypjen e një loje për t’u vetëdiskriminuar, madje institucionalisht! Qofshim të gabuar!

/HEJZA/

Previous articleShaqiri realizoi takim me Shefin e ri të Misionit të OSBE në Shkup, ambasadorin Kilian Wahl
Next articleTre zyrtarë nën vëzhgim për keqpërdorime të kryera