Dita e Zjarrfikësve u shënua në Tetovë me demonstrime dhe themelimin e Njësisë Vullnetare Kundër Zjarrit

Me rastin e 20 Majit – Ditës së Zjarrfikësve në Maqedoninë e Veriut, në sheshin “Iliria” në Tetovë u organizua një aktivitet simbolik për të nderuar kontributin dhe guximin e zjarrfikësve tanë.
Në prani të qytetarëve, Njësiti i Zjarrfikësve i Tetovës demonstroi një sërë aktivitetesh dhe simulime nga puna e tyre e përditshme, duke treguar profesionalizëm dhe përkushtim në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Komuna e Tetovës shpalli themelimin e Njësisë Vullnetare Kundër Zjarrit, e cila do të përfshijë vullnetarë nga Tetova dhe rrethina. Kjo njësi synon të forcojë kapacitetet lokale për reagim në raste emergjente dhe të nxisë angazhimin qytetar në shërbim të sigurisë kolektive.
Kryetari i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami, falënderoi komandantin e NJTKZ-së, z. Avni Ameti, si dhe gjithë njësitin për punën dhe angazhimin e përditshëm. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe gatishmërinë e komunës për të përkrahur shërbimet zjarrfikëse në mënyrë të vazhdueshme.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ambasadori i Austrisë në Maqedoninë e Veriut, z. Martin Pammer, i cili vlerësoi punën e bërë dhe u shpreh i gatshëm të mbështesë iniciativa të tilla që ndihmojnë komunitetin. Ambasadori Pammer u cilësua si një mik i Tetovës dhe një bashkëpunëtor i rëndësishëm i komunës.