Durrës, Rama: Plazhet do të zgjaten me 100 metra, falë një projekti të ri

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje sot turoperatorëve dhe profesionistëve të turizmit që të investojnë në rritjen e cilësisë së shërbimit, duke e konsideruar këtë si çelësin për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit turistik.

Gjatë një takimi në Durrës me turoperatorë, hotelierë dhe aktorë të industrisë, Rama theksoi nevojën për të përmirësuar standardet në të gjithë zinxhirin e shërbimeve dhe inkurajoi rritjen e pagave për punonjësit.

“Duhet të fokusohemi në rritjen e cilësisë, jo vetëm në numra. Duam më shumë turistë që konsumojnë më shumë dhe lënë më shumë të ardhura në vend,” tha Rama.

Ai njoftoi se qeveria ka nisur një projekt për zgjerimin e hapësirës ranore përgjatë bregdetit me 100 metra, përmes marrjes së sipërfaqes nga deti. Sipas tij, puna tashmë ka filluar dhe pritet që vitin e ardhshëm të realizohet në të gjithë vijën bregdetare.

Në anën tjetër, Rama bëri të ditur se po punohet për një projekt ambicioz që përfshin krijimin e një territori të ri në det, me mbështetjen e një grupi të madh investitorësh, i cili pritet të rrisë më tej vlerën e zonës bregdetare dhe investimeve ekzistuese.

Ai shtoi se qeveria ka ndërmarrë edhe reforma ligjore për të standardizuar sektorin turistik, duke e cilësuar situatën e mëparshme si “kaotike”.

“Nuk kishte ligj për turizmin, asnjë rregull për plazhet, yjet viheshin nga marangozët. Sot kemi një kornizë ligjore që mundëson zhvillim të rregullt,” u shpreh Rama.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights