Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, në një prononcim për gazetën greke “Kathimerini”, ka shprehur dëshirën për fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet greko-turke pas zgjedhjeve në të dyja vendet, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.
Vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në Turqi, Erdogan përmes gazetës i dërgoi Greqisë një mesazh miqësie.
-Me Greqinë mund t’i lëmë mënjanë armiqësitë dhe rivalitetet, i ka dëmtuar shumë të dyja vendet dhe nuk duhet të vazhdojë. Uroj që zgjedhjet si në Greqi ashtu edhe në Turqi të jenë fillimi i një epoke të re. Ne nga Turqia i dërgojmë Greqisë përshëndetjet tona të ngrohta miqësore, tha Erdogan.
Në të njëjtën kohë, presidenti turk shprehu besimin se do të fitojë zgjedhjet dhe tha se “tubimet në sheshe e tregojnë këtë”, ndërsa kolegët e tij theksuan për gazetën se zgjedhjet me gjasë do të jenë të qarta që në raundin e parë.
Zgjedhjet presidenciale në Turqi do të mbahen të dielën, ndërsa shtatë ditë më vonë, më 21 maj, grekët do të votojnë në zgjedhjet parlamentare.